Sistematizimi në Ministrinë e Brendshme solli përplasje të reja në Kuvend. Në pyetje deputetësh Arbana Pasholli nga Fronti Europian tha se në disa sektorë për punë të brendshme do të cenohen punësimet e shqiptarëve, në kohë kur është shfuqizuar balancuesi dhe nuk është sjell Ligji për përfaqësim të drejtë. Ajo pyeti Ministrin Toshkovski se si do të garantohet siguria në Dibër dhe gjetkë pa prishur balancën etnike.
“A do ta rishikoni këtë vendim? A do të siguroheni që Dibra dhe rajonet e tjera të mos mbeten pa kapacitete reale sigurie? A do të garantoni që përfaqësimi i drejtë të mos cenohet në këtë proces dhe si do ta bëni këtë? Sepse siguria nuk është çështje e organizimit administrativ – përgjegjësi shtetërore!”, tha Arbana Pasholli -deputete e BDI-së /FE.
Ministri Toshkovski tha se Reparti për punë të brendshme në Dibër, Makedonski Brod, Gjevgjeli dhe të tjera nuk hiqen, por do të shtohen uniforma në terren në vend të zyrtarëve policëve që rrini nëpër zyra. Sistematizimi i ri në MPB pritet të heq nga funksioni rreth 38% të shefave të policisë, zëvendës shefa, ndihmës dhe struktura tjera udhëheqëse që i bie të jetë më shumë se 1/3 e kryesive në nivel vendi.
“Në atë pjesë struktura organizative e MPB-së mbetet e njëjtë, por çfarë do të ketë më shumë në Dibër se më parë! Do të ketë më tepër zyrtarë policorë në uniformë, e nderuara deputete sepse nuk kishte, tani me sistematizimin e ri mundësuam policët që kanë të kryer shkollën e lartë dhe të tillë ka mjaft si në Gostivar ashtu edhe në Prilep e Manastir dhe Dibër, për t’i vënë në funksion të qytetarëve të komunave përkatëse që të jenë të dukshëm me uniformë në terren për të forcuar gjendja e sigurisë në Dibër sikurse do të përforcohet siguria në gjithë Maqedoninë”, pohoi Pançe Toshkovski – ministër i Brendshëm.
Sistematizimi në strukturat udhëheqëse të Ministrisë së Brendshme do të përfshijë 160 zëvendësshefa, ndihmës shefa dhe funksioneve të tjera të larta në polici! Prej tyre 40 janë shqiptarë, mësoi dje TV21 nga burime brenda MPB-së.
