Mbrëmë, futbolli tregoi se suksesi lind nga meritokracia, jo nga tarafet apo emrat. Shqipëria u eliminua nga Polonia 2-1, humbje që reflekton më shumë se një rezultat. Ajo tregon problemet strukturore të kombëtares kuqezi, ku shpesh ftesat dhe formacioni duken si çështje influencash, jo performancash. Lojtarët që japin gjithçka në klubet e tyre, me më shumë minutazh në këmbë, e nisin nga stoli për t’iu hapur rrugë atyre që duket se i kanë “krahët të ngrohtë”, duke lënë pas një ndjenjë zhgënjimi dhe humbjeje të krenarisë.
Nga ana tjetër, Kosova triumfoi me meritë në Sllovaki, me një ekip që luajti plot zemër, freski fizike dhe vetëbesim. Trajneri i dardanëve aktivizoi lojtarët më në formë, pa marrë parasysh emrin apo statusin e tyre, dhe kjo rezultoi me fitoren dramatike 4-3. Kosova është tani vetëm 90 minuta larg historisë, pasi do të përballet me Turqinë në Prishtinë për finalen e “play off”-it si pengesa e fundit drejt Botërorit 2026.

Dallimi midis dy kombëtareve tona është i qartë: Shqipëria, me mbi 70–90 vite histori në FIFA dhe UEFA, duket e ngurtësuar në praktikat e saj; ndërsa Kosova, vetëm 10 vite në skenën e futbollit ndërkombëtar, po rritet me shpejtësi e përkushtim. Dhe të mendosh që Kosova nuk ka luksin të mendojë vetëm për veten; ajo ka tri kombëtare… për t’i mbajtur me lojtarë të talentuar: dardanët, Shqipërinë dhe Zvicrën!!!
Mesazhi është i qartë: meritokracia dhe puna në fushë vlejnë më shumë se emri apo influenca. Shqipëria duhet të marrë mësim nga rritja e shpejtë e Kosovës dhe të rikthejë krenarinë e humbur që i takon një kombëtareje, e cila përfaqëson një komb të tërë.
The post Meritokracia triumfon edhe në futboll; mësimi që Shqipëria duhet të marrë nga Kosova appeared first on Telesport.
