Gjashtë salla operative janë rinovuar tërësisht në Departamentin e kirurgjisë të Klinikës për traumatologji, sëmundje ortopedike, anestezi, reanimacion dhe trajtim intensiv, si dhe në Qendrën Emergjente (TOARILUC), tha sot ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, përcjell TV21. Ministri shtoi se në periudhën e ardhshme do të rinovohen edhe katër salla të tjera, me fonde nga Qeveria. Projekti ka një kosto totale prej 282 milionë denarësh (më shumë se 4,5 milion euro) për rinovimin e 10 sallave operative.
“Janë salla me cilësi botërore, me garanci 100-vjeçare për infrastrukturën e brendshme, salla të lëvizshme që mund të përdoren edhe për telemedicinë, për të mundësuar asistencë nga jashtë, por edhe për të mundësuar mësim në distancë, në mënyrë që studentët tanë nga amfiteatri të ndjekin pjesë të operacioneve pa qenë fizikisht në sallat operative”, tha ministri Aliu.
Drejtori i TOARILUC, dr. Igor Merxhanoski, tha se projekti për 10 sallat është ndarë në dy faza për të mos ndërprerë punën në shëndetësinë terciere.
“Projektin e kemi ndarë me Ministrinë e Shëndetësisë në dy pjesë, duke u marrë vesh që disa nga degët kirurgjikale që punonin në pjesën e rinovuar, u zhvendosën dhe ndamë sallat në pjesën e vjetër që do të rinovohet. Kjo do të thotë se listat e pritjes nuk u prekën, sepse klinikat e TOARILUC (Traumatologji, Ortopedi, Urologji dhe Kirurgji Pediatrike) punuan intensivisht gjatë kësaj periudhe, disa edhe në turne të trefishta. Kështu po mundohemi të ulim vazhdimisht listat e pritjes, edhe pse kemi presion të madh në shëndetësinë terciere për trajtimin e këtyre pacientëve,” tha ai.
Dr. Merxhanoski njoftoi se projekti përfshin edhe një sallë të re kirurgjikale në Qendrën Emergjente. Kjo sallë do të ndihmojë për rritjen e kapacitetit të operacioneve të një ditë, si dhe për pacientët me infeksione që kërkojnë amputime të caktuara të ekstremiteteve dhe që vijnë nga e gjithë vendi.
“Edhe pse tani po i menaxhojmë mirë, disa klinika janë të përfshira në këtë proces, tani do të kemi mundësinë që këta pacientë të izolohen plotësisht jashtë bllokut kirurgjikal dhe të operohen në një sallë të veçantë, pa rrezikuar pacientët e tjerë që duhet të operohen”, tha dr. Merxhanoski.
