Komuna e Strugës i ka cilësuar si përpjekje të dëshpëruara për zhurmë politike akuzat e fundit dhe kallëzimin penal ndaj kryetarit të komunës. Përmes një reagimi zyrtar, autoritetet lokale thonë se emërimet në Ndërmarrjen “Ujësjellës dhe Kanalizime” janë bërë në përputhje me ligjin për të shpëtuar ndërmarrjen nga kolapsi, ndërsa theksojnë se menaxhimi i ri ka dhënë rezultate të prekshme në terren.
“Emërimi i Jusufoskit u bë si një zgjidhje e brendshme dhe urgjente në një kohë kur ndërmarrja ishte në prag të kolapsit. Edhe pse mund të mos ketë certifikatë të gjuhës angleze, ai arriti atë që shumë të tjerë të ‘certifikuar’ nuk e bënë dot për vite: dyfishoi të hyrat për vetëm tre muaj”, reaguan nga Komuna e Strugës.
Nga komuna sqarojnë se akuzat janë të vjetruara, pasi ndërmarrja tashmë ka një drejtor të ri, Jovanço Meçarkoski, i cili udhëheq institucionin prej më shumë se një muaji. Sipas tyre, fokusi duhet të jetë te shërbimet ndaj qytetarëve dhe jo te procedurat burokratike që nuk përmirësojnë jetën e banorëve.
“Qytetarët nuk jetojnë nga denoncimet, por nga shërbimet që funksionojnë. Kryetari mbetet i hapur për bashkëpunim me drejtësinë, por i vendosur për të mos lejuar që ndërmarrjet publike të kthehen në kohën kur shërbenin për interesa të ngushta dhe jo për qytetarët”, reaguan nga Komuna e Strugës.
Në mbyllje të reagimit, Komuna e Strugës fton institucionet dhe opinionin që t’u referohen fakteve dhe rezultateve ekonomike përpara se të nxirren përfundime mbi ligjshmërinë e vendimeve ekzekutive./Alsat.mk.
The post Komuna e Strugës: Kallëzimi ndaj Qyrës, i pabazë appeared first on Alsat.
