Gazetar: Suad Bajrami

Kryeministri Hristijan Micksoki thekson se Ligji për Përfaqësim të Drejtë do të ketë në fokus çështjen e meritorakcisë gjatë punësimeve, diçka që deri më tani nuk ka qenë. Mickoski tha se ligji i ka kaluar të gjitha filtrat e Qeverisë, ndërsa ka marrë mendim pozitiv edhe nga Komisioni i Venecias.

“Është ligj i cili i kaloi të gjitha filtrat në Qeveri, ligj i cili e mori mendimin pozitiv nga ana e Komisionit të Venecias dhe ligj i cili do të sigurojë përfaqësim të drejtë, por njëkohësisht do të mbajë llogari edhe për cilësinë, diçka që deri më tani ndoshta nuk ishte vendosur në perimetër, gjegjësisht në fokus. Unë mendoj se me këtë ligj për përfaqësim të drejtë, përfundimisht do të tejkalohen të gjitha stereotipat e të kaluarës, të gjitha elementet antikushtetuese dhe gjithçka që ka paraqitur pengesë në të kaluarën, përfundimisht ofrohet zgjidhje që do t’i zgjidh këto”, deklaroi Hristijan Mickoski, Kryeministër.

Ndërkohë nënkryetari i BDI-së Bujar Osmani thekson se kjo zgjidhje ligjore që duhet të zëvendësojë rolin e Balancuesit të shfuqizuar nga Gjykata Kushtetuese, është skandaloze. Osmani duke aluduar se profesoresha e afërt me VMRO-DPMNE-në, Tanja Karakamisheva është autore, thotë se ligji është karikaturë e saj.

“Qeveria paska miratuar një ligj karikaturë të Karakamishevës për “përfaqësim të drejtë”, ku balancuesi, që ishte formulë obligative ligjore për garantimin e përfaqësimit të drejtë, zëvendësohet me një komision i cili një herë në vit do të japë raport për përfaqësimin e drejtë. Provokim pas provokimi. Deri kur?”, tha Bujar Osmani, BDI.

Në një linjë është edhe Arben Taravari, i cili thotë se është goditje e drejtpërdrejtë ndaj parimit të përfaqësimit të drejtë dhe adekuat të shqiptarëve në institucionet shtetërore.

“Ky nuk është aspak ligj reformues, por një projekt i mirëfilltë për çmontimin e barazisë. Heqja e kuotave etnike, mungesa e identifikimit etnik në punësim dhe avancim, si dhe mungesa e mekanizmave ndëshkues, e shndërrojnë këtë nismë në një instrument të diskriminimit të institucionalizuar”, tha Arben Taravari, Aleanca për Shqiptarët

Ligji pritet që të shkaktojë debate politike gjatë periudhës në vijim, kur do të duhet të vihet përpara deputetëve./Alsat.mk.

 

The post Kryeministri Hristijan Mickoski mbron Ligjin për Përfaqësim të drejtë appeared first on Alsat.