Brenda vetëm pak orësh, Donald Trump me dy postime në rrjetet sociale fillimisht shkaktoi panik dhe pasiguri, e më pas qetësoi botën. Para skadimit të ultimatumit për hapjen e Ngushticës së Hormuzit, ai bëri një kërcënim dramatik se mund të “vdesë një civilizim i tërë”, por disa orë më vonë publikoi një mesazh se është një ditë e madhe për paqen botërore. SHBA-ja dhe Irani arritën marrëveshje për një armëpushim dyjavor, të cilin e mbështeti edhe Izraeli.
Në rrjetet sociale, Trump shkroi se SHBA do të ndihmojë në zhvillimin e trafikut në Ngushticën e Hormuzit dhe se mund të vijë një epokë e artë për Lindjen e Mesme.
“Do të ketë shumë veprime pozitive. Do të grumbullohen shumë para. Irani mund të nisë procesin e rindërtimit. Ne do të furnizojmë me të gjitha llojet e materialeve dhe do të jemi afër për t’u siguruar që gjithçka do të shkojë siç duhet. Jam i sigurt se kështu do të jetë”, tha Donald Trump, president i SHBA-së.
Marrëveshja u konfirmua edhe nga Irani dhe është arritur me ndërmjetësimin e Pakistanit. Televizioni shtetëror iranian, në një edicion të jashtëzakonshëm lajmesh, njoftoi se Irani ka arritur një fitore të madhe dhe se janë pranuar 10 pikat e tyre për marrëveshje paqeje.
PREZANTUES I TELEVIZIONIT SHTETËROR IRANIAN:
“Irani arriti një fitore të madhe dhe e detyroi Amerikën kriminale të pranojë planin e tij me 10 pika, ku SHBA angazhohet në parim për mosagresion, vazhdimin e kontrollit iranian mbi Ngushticën e Hormuzit, pranimin e pasurimit të uraniumit, heqjen e të gjitha sanksioneve primare dhe sekondare, anulimin e të gjitha rezolutave të Këshillit të Sigurimit dhe Bordit të Guvernatorëve, pagesën e kompensimit ndaj Iranit, tërheqjen e forcave luftarake amerikane nga rajoni dhe ndalimin e luftës në të gjitha frontet, përfshirë edhe kundër rezistencës islamike libaneze.”
Nëse të gjitha këto janë pranuar, nuk ka ende përgjigje nga Shtëpia e Bardhë, e cila vetëm konfirmoi marrëveshjen për armëpushim. Këshilli i Lartë i Sigurisë i Iranit njoftoi se bisedimet me SHBA-në do të nisin të premten, më 10 prill, në Islamabad, duke shtuar se ato mund të zgjasin deri në 15 ditë dhe mund të çojnë në përfundimin e plotë të luftës.
10 PIKAT E IRANIT PËR FUNDIIN E LUFTËS:
-SHBA të garantojë se nuk do të kryejë më agresion
-Irani të mbajë kontrollin mbi Ngushticën e Hormuzit
-Të njihet e drejta e Iranit për pasurimin e uraniumit
-Heqja e të gjitha sanksioneve primare
-Heqja e të gjitha sanksioneve sekondare
-Heqja e të gjitha rezolutave të Këshillit të Sigurimit të OKB-së kundër Iranit
-Heqja e të gjitha rezolutave të Bordit të Guvernatorëve të IAEA-s
-Pagesa e dëmshpërblimit ndaj Iranit për dëmet nga lufta
-Tërheqja e forcave luftarake amerikane nga rajoni
-Ndalimi i veprimeve ushtarake në të gjitha frontet (përfshirë Libanin)
Izraeli e mbështet këtë hap të SHBA-së me kusht që Teherani menjëherë të hapë Ngushticën e Hormuzit dhe të ndalojë sulmet ndaj SHBA-së, Izraelit dhe vendeve të rajonit, thuhet në deklaratën e zyrës së Netanyahut. Shtohet se kjo marrëveshje nuk përfshin Libanin, ku nga sulmet izraelite që nga 4 marsi kanë humbur jetën mbi 1450 persona, mes tyre më shumë se 120 fëmijë, mbi 4.400 janë plagosur, ndërsa rreth 1,2 milionë libanezë janë zhvendosur.
Shumë shtete e kanë përshëndetur marrëveshjen për armëpushim dyjavor mes SHBA-së dhe Iranit. Ndër të parat reaguan Koreja e Jugut, Zelanda e Re, Iraku, Australia, Japonia dhe Pakistani. Edhe Hezbollahu reagoi, duke njoftuar se nuk do ta sulmojë Izraelin gjatë kohës së armëpushimit.
