Sekretari i Mbrojtjes i SHBA-së, Pete Hegseth, ka thënë se SHBA-ja kishte planifikuar të godiste disa objektiva në Iran, duke përfshirë urat dhe termocentralet, nëse marrëveshja e armëpushimit nuk do të arrihej të martën.
Kur u pyet gjatë një konference për shtyp të mërkurën në lidhje me kërcënimin e presidentit Donald Trump nga mëngjesi i së martës se “një qytetërim i tërë do të vdiste” nëse nuk do të arrihej një marrëveshje dhe nëse presidenti do të ishte i përgatitur ta bënte këtë, Hegseth ka thënë se ata kishin vendosur një objektiv të caktuar, të infrastrukturës, urave, termocentraleve.
“Ata e dinin saktësisht fushëveprimin e asaj që ishim të aftë të bënim”, ka thënë Hegseth duke iu referuar Iranit.
Sipas tij, ishte paralajmërimi i Trumpit ai që e solli Iranin në tryezën e negociatave dhe në fund çoi në një armëpushim dyjavor.
“(Trump) në fund tha: ‘Mund t’jua marrim të gjitha. Aftësia juaj për të eksportuar energji do të hiqet dhe ushtria e Shteteve të Bashkuara ka aftësinë t’i godasë ato gjëra pa u ndëshkuar’. Ky lloj kërcënimi i çoi ata në atë pikë ku ata në fakt thanë: ‘Hej, në rregull, ne duam ta bëjmë këtë marrëveshje’”, u ka thënë Hegseth gazetarëve.
