Gazetar: Suad Bajrami
Përplasje mes LSDM-së dhe VMRO-DPMNE-së pas rrëzimit të Viktor Orbanit nga pushteti. Venko Filipçe thekson se me ikjen e Orbanit, VMRO-ja do të mbetet pa aleat, ndërsa nuk do të ketë më biznese të fshehta.
“Regjimi jodemokratik i Orbanit ra – mu siç paralajmëruam muaj më parë. Organizata kriminale VMRO mbetet pa aleatin e vetëm në BE. Nuk do të ketë më fshehje të Gruevskit në Budapest, e as kombinime biznesi…. Bien regjimet autokratike. I radhës është Vuçiq, ndërsa me atë edhe Mickoski. Koha është për demokraci”, deklaroi Venko Filipçe, LSDM.
Ndërkohë nga partia e Hristijan Mickoski theksojnë që nuk kanë biznese të fshehta, ndërsa bashkëpunimi me Hungarinë është në nivel të shteteve si pjesë përbërëse të Evropës.
“Nuk ka kurrfarë biznesesh të fshehta me Viktor Orbanin dhe partinë e tij. E dyta, ka marrëveshje dhe bashkëpunim zyrtar shtetëror. Kjo do të thotë se mes Maqedonisë dhe Hungarisë ka bashkëpunim si dy shtete nga i njëjti kontinent i Evropës, të cilët bashkëpunojnë në shumë fusha. Ndoshta Filipçe me mentorin e tij Zaev ka punuar ashtu, dhe mendon se të gjithë punojnë fshehtë dhe në mënyrë kriminale”, thanë nga VMRO-DPMNE.
- Nuk kemi biznese të fshehta me Viktor Orbanin
- Bashkëpunimi me Hungarinë, në nivel të shteteve evropiane
Rrëzimin e Orbanit e kanë komentuar edhe përfaqësues të partive shqiptare. Bekim Qoku nga VLEN e quan lajm të mirë për demokracinë.
“Humbja e Viktor Orbanit në Hungari është një lajm i mirë për demokracinë dhe për forcat progresiste në Bashkimin Evropian dhe në Evropë në tërësi. Ajo dëshmon se edhe regjimet që duken të konsoliduara mund të sfidohen dhe të mposhten përmes vullnetit qytetar”, theksoi Bekim Qoku, VLEN.
Ndërsa Bujar Osmani nga BDI ka uruar largimin e Orbanit.
Viktor Orban gjatë pushtetit 16-vjeçar kishte relacione të ngushta me partinë VMRO-DPMNE. Erdhi për vizitë në Shkup në vitin 2013 kur me vendin udhëhiqte Nikolla Gruevski dhe para një viti e gjysmë e priti Hristijan Mickoski. Gjatë vizitës së parë, presidenti i atëhershëm Gjorge Ivanov, i cili vinte nga partia VMRO-DPMNE, e dekoroi me çmim “8 Shtatori” për “përpjekjet e tija të shumta për forcimin e marrëdhënieve miqësore”./Alsat.mk.
The post Përplasje mes LSDM-së dhe VMRO-DPMNE-së pas rrëzimit të Viktor Orbanit nga pushteti appeared first on Alsat.
