Katër kompani kanë dorëzuar oferta në tenderin për furnizimin me autobusë elektrikë, të shpallur nga Ministria e Transportit. Sipas Ministrisë, tenderi është mbyllur dhe aktualisht është në vijim afati ligjor për pranimin e ofertave eventuale me postë.
“Pas festave të Pashkëve do të bëhet vlerësimi i ofertave të pranuara. Nëse tenderi rezulton i suksesshëm, 30 autobusët e parë pritet të mbërrijnë në shtator”, njoftojnë nga Ministria e Transportit për SDK.
Nga gjithsej 150 autobusë, 100 do të jenë për Qytetin e Shkupit, ndërsa 50 të tjerë për qytetet e tjera.
Sipas specifikimeve teknike në njoftimin e publikuar në faqen e Byrosë për Prokurime Publike, vlera e vlerësuar e projektit është 51 milionë euro. Autobusët duhet të jenë me ngjyrë të kuqe ose të bardhë, të kenë të paktën 33 ulëse dhe kapacitet për të paktën 66 pasagjerë. Po ashtu, do të blihen 75 stacione karikimi për autobusët, me fuqi minimale prej 120 kilovatësh për çdo pikë karikimi.
Ky është tenderi i dytë i Qeverisë për blerjen e autobusëve elektrikë, pasi i pari i shpallur në qershor dështoi, sepse kompania e vetme e paraqitur nuk i plotësonte kushtet e kërkuara.
