Komuna e Çairit ka nisur rikonstruimin e rrugës “Samarxhinjve” në Çarshinë e Vjetër të Shkupit, si dhe të pesë degëzimeve dhe rrugëve përreth, në një projekt që synon përmirësimin e infrastrukturës dhe ruajtjen e karakterit historik të zonës.

Nga komuna eÇairit thonë se Rruga “Samarxhinjve” nuk ka pasur ndërhyrje të thella për më shumë se 50 vjet, do t’i nënshtrohet një rikonstruimi të plotë në një sipërfaqe prej 1.567 metrash katrorë.

Sipas projektit, do të bëhet restaurimi i kalldrëmit me gur travertin, me qëllim ruajtjen e pamjes autentike të Çarshisë, si dhe përmirësimin e qëndrueshmërisë së saj në afat të gjatë. Po ashtu parashikohet modernizimi i infrastrukturës nëntokësore, duke përfshirë rrjetin e ujësjellësit, kanalizimit, energjisë elektrike dhe vendosjen e fibrave optike.

Në kuadër të ndërhyrjes do të vendoset edhe ndriçim i ri rrugor në stil tradicional, si dhe pajisje urbane si ulëse dhe shporta për mbeturina.

Investimi për këtë projekt kap vlerën prej 28,7 milionë denarësh. Sipas autoriteteve komunale, ndërhyrja synon përmirësimin e funksionalitetit të zonës dhe gjallërimin e Çarshisë së Vjetër.