Gazetare: Ajnur Bafqari

Zëvendëspresidenti amerikan, JD Vance, tha se ka njëfarë progresi në bisedimet në Islamabad dhe se tani topi është në fushën e Iranit. Në një intervistë për Fox News, ai theksoi se negociatorët iranianë, nuk ishin në gjendje të arrinin një marrëveshje, pasi sipas tij, kishin nevojë për miratim nga të tjerët në Teheran.

“Dhe në fund të fundit kjo është arsyeja pse u larguam nga Pakistani, sepse ajo që kuptuam ishte se ata nuk ishin në gjendje, mendoj se ekipi që ishte atje, së pari, nuk ishte në gjendje të arrinte një marrëveshje, dhe duhej të kthehej në Teheran, qoftë te Udhëheqësi Suprem apo dikush tjetër, për të marrë në fakt miratimin për kushtet që ne kishim vendosur”, deklaroi Vance, Zëvendëspresidenti i SHBA-së.

Vance shtoi se gjatë bisedimeve u bë e qartë se presidenti i SHBA-së, Donald Tramp, nuk ka fleksibilitet në lidhje me uraniumin e pasuruar të Iranit, të cilin Uashingtoni duhet ta ketë, dhe mekanizmin e verifikimit që do të siguronte që Teherani të mos zhvillonte armë bërthamore në të ardhmen.
Nga ana tjetër, presidenti i Iranit, Masoud Pezeshkian ka theksuar se bllokada do të ketë pasoja të gjera për botën. Sipas raportimeve të mediave shtetërore iraniane, presidenti në një bisedë telefonike i ka thënë homologut të tij francez Emanuel Makron, se kërkesat “e tepruara” të SHBA-së penguan arritjen e një marrëveshjeje gjatë bisedimeve në fundjavë.

Nga 13 prilli, SHBA-ja nisi zbatimin e një bllokade detare ndaj anijeve që hyjnë në portet dhe zonat bregdetare të Iranit, pasi bisedimet e javës së kaluar për paqe rezultuan të pasuksesshme.  Anijet që shfrytëzojnë Ngushticën e Hormuzit për dhe nga portet joiraniane, nuk do të pengohen, tha ushtria amerikane. Ky veprim shihet si përpjekja e fundit e presidentit Tramp për ta detyruar Iranin të bëjë lëshime. Ndërkohë Spanja sheh një mundësi për përfundimin e luftës në Iran. Kryeministri Sançez ka theksuar se për këtë çështje mund të ndihmojë Kina./Alsat.mk.

The post Vance: Progres në bisedimet në Islamabad, tani radha i takon Iranit appeared first on Alsat.