Bashkësitë fetare reaguan ndaj incidentit të fundjavës ku dikur u përpoq të djegë ndërtesën e Bashkësisë Hebraike dhe sinagogës. Ata dënojnë ashpër rastin, duke shprehur solidaritet dhe mbështetje për komunitetin hebraik.
Kryetari i Komunitetit Hebraik në Maqedoni, Pepo Levi, theksoi se reagimi i tyre është njëkohësisht dënim dhe shenjë mbështetjeje, duke nënvizuar se bashkësitë fetare në vend kultivojnë bashkëpunim afatgjatë, dialog konstruktiv dhe mbështetje të ndërsjellë në çdo fushë.
“Nuk e dimë nëse bëhet fjalë për terroristë apo huliganë, por fakti është se i ashtuquajturi “Shteti Islamik (ISIS) kishte bërë thirrje për Pashkë që të digjen objektet fetare të krishtera dhe hebraike. Nëse kjo është rezultat i asaj thirrjeje apo diçka tjetër, do ta përcaktojë policia”, tha Pepo Levi – kryetar i Bashkësisë Hebraike.
Kreu i Bashkësisë Fetare Islame, Shaqir Fetai, theksoi se islami rreptësisht ndalon çdo akt dhune ndaj objekteve fetare, pavarësisht përkatësisë së tyre.
“Rinia jonë ka respekt të madh për të gjitha bashkësitë fetare dhe besimtarët. Kjo shihet në të gjitha vendet ku jetojmë së bashku pa probleme. Prandaj, me përgjegjësi të plotë them se bashkëjetesa në Maqedoni po zhvillohet mirë dhe nuk ka asnjë problem”, u shpreh shaqir fetai – kryetar i Bashkësisë Fetare Islame.
Drejtoresha e Komisionit për Marrëdhënie me Bashkësitë Fetare dhe Grupet Fetare, Olivera Trajkovska, apeloi për qetësi dhe përgjegjësi.
“Prandaj, në frymën e bashkëpunimit ndërfetar dhe mirëkuptimit të ndërsjellë, bëjmë thirrje që të gjithë qytetarët të tregojmë përgjegjësi, arsye dhe virtyt dhe të mbetemi ruajtës të bashkëjetesës. Respekti i ndërsjellë është ndër vlerat më të mëdha që kemi, ndaj duhet ta ruajmë dhe ta lëmë si amanet për brezat e ardhshëm”, theksoi Olivera Trajkovska – drejtoresha e Komisionit për Bashkësitë Fetare.
Në konferencë ishin të pranishëm edhe kreu i Kishës Ortodokse Maqedonase – kryepeshkopi Stefan, peshkopi i Kishës Katolike, Kiro Stojanov dhe kreu i Kishës Ungjillore-Metodiste, pastori Marjan Dimov.
Institucionet kompetente kanë njoftuar se hetimet për rastin janë në vijim dhe se pritet që autorët të identifikohen dhe të përballen me drejtësinë.
