Ankaraja është vënë në lëvizje për të ndihmuar në ruajtjen e armëpushimit midis Iranit dhe Shteteve të Bashkuara. Nga foltorja e Parlamentit, Presidenti Recep Tayyip Erdogan deklaroi se Turqia po punon intensivisht për zgjatjen e armëpushimit dhe uljen e tensioneve që po kërcënojnë rajonin.
Edhe pse negociatat e fundit në Pakistan nuk prodhuan një marrëveshje, Erdogan mbetet besimplotë se diplomacia do të triumfojë mbi gjuhën e forcës.
“Mund të ketë sfida, mund të ketë çështje komplekse që do të kërkojnë kohë për t’u zgjidhur. Por kur fokusi është te përfitimet e paqes, dhe kur miratohet një perspektivë afatgjatë, një pjesë e rëndësishme e këtyre problemeve do të marrin zgjidhje.”
Sipas tij, bota nuk duhet ta lejojë mbylljen e dritares së mundësisë që ofron armëpushimi aktual.
“Pavarësisht të gjitha vështirësive të ndeshura në procesin e negociatave mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara, ne nuk e kemi humbur shpresën. Ne po bëjmë sugjerimet dhe përpjekjet e nevojshme për të ulur tensionet dhe për të vazhduar bisedimet.”
Ndërkohë, Presidenti amerikan Donald Trump ka paralajmëruar lëvizje surprizë në ditët në vijim.
