Mexhiti: Vazhdon investimi në infrastrukturë – nis projekti për rrugën “Dizhon 15”

Sot në terren, Kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, shënoi nisjen e punimeve për përmirësimin e infrastrukturës në rrugën “Dizhon 15”.

Projekti përfshin ndërhyrje të plotë në rrjetin e ujësjellësit dhe kanalizimit fekal, me qëllim përmirësimin e kushteve të jetesës për banorët e kësaj zone. Në kuadër të tij do të realizohet rekonstruimi i rrjetit kryesor të ujësjellësit në gjatësi prej 197 metrash, si dhe 25 lidhje për amvisëritë, ndërsa paralelisht do të kryhet edhe rekonstruimi i kanalizimit fekal në gjatësi prej 180 metrash.

“Po investojmë në infrastrukturën bazë, aty ku ndikimi është i drejtpërdrejtë në jetën e qytetarëve. Me këtë projekt sigurojmë kushte më të mira dhe standard më të lartë jetese për banorët e kësaj zone,” u shpreh Mexhiti.

Pas përfundimit të punimeve nëntokësore, rruga “Dizhon 15” do të asfaltohet, duke e bërë këtë segment më funksional dhe më të rregullt për qytetarët.

Ky investim realizohet me mjete të siguruara nga Qeveria, në kuadër të thirrjes së parë për mbështetjen e infrastrukturës lokale.

Me respekt,
Komuna e Çairit
Zyra për Informim të Mediave