
Aleanca për Shqiptarët e refuzon kategorikisht këtë propozim-ligj për arsimin e lartë, sepse ai nuk sjell reformë, por hap rrugë për goditje të reja ndaj universiteteve shqiptare.
Ky propozim-ligj nuk ndërtohet mbi barazi, meritë dhe zhvillim, por mbi padrejtësi, kontroll dhe kalkulim politik. Në vend që t’i zgjidhë problemet reale të arsimit të lartë, ai prek drejtpërdrejt financimin, vendet e punës, doktoratat dhe meritokracinë në universitete.
Së pari, diplomat dhe çdo dokument tjetër universitar duhet të jepen edhe në gjuhën shqipe, në të gjitha universitetet shtetërore dhe private, pa asnjë përjashtim. Ashtu siç jepen të gjitha dokumentet personale edhe në gjuhën shqipe, ashtu duhet të jepen edhe diplomat dhe dokumentet universitare, si e drejtë e garantuar me Kushtetutë dhe me ligj. Kjo duhet të vlejë për çdo institucion, nga Universiteti “Shën Kirili dhe Metodi”, “Goce Dellçev” e kudo tjetër.
Së dyti, rreth 600 të punësuar mbahen me kontrata në Universitetin e Tetovës, që do të thotë se afro 50 për qind e të punësuarve janë me kontrata. Në anën tjetër, në UKM kjo përqindje është rreth 10 për qind. Për UKM ndahen mjete për objekte të reja dhe investime infrastrukturore, UGD fiton fakultet të ri të mjekësisë, ndërsa Universiteti i Tetovës mbetet pa asnjë investim.
Së treti, askush nuk ka të drejtë të pengojë hapjen e studimeve të doktoratës për studentët shqiptarë, aq më tepër kur universitetet shqiptare disponojnë kuadër akademik të rangut ndërkombëtar dhe i plotësojnë kriteret për mentorim dhe zhvillim të ciklit të tretë.
Së katërti, dispozitat kundër nepotizmit duhet të rikthehen siç kanë qenë në ligjin e vitit 2018. Çdo tentativë për ta lënë derën hapur për nepotizëm është e qëllimshme dhe e papranueshme.
Këto kërkesa janë vija jonë e kuqe.
Deputetët e Aleancës për Shqiptarët nuk do ta votojnë këtë propozim-ligj në këtë formë. Ftojmë çdo deputet shqiptar që të mos bëhet pjesë e një ligji që dëmton universitetet tona, cenon të drejtat tona dhe rrezikon të ardhmen akademike të shqiptarëve.
Asnjë dorë shqiptare nuk duhet ta votojë këtë ligj. Mendoni si do t’i shihni në sy studentët, stafin akademik, familjet e tyre dhe gjithë shoqërinë shqiptare pasi ta votoni këtë ligj.
Nëse nuk dini çfarë po votoni, pyetni profesoratin dhe studentët./FaktiDitor
