Bashkimi Evropian ka hedhur poshtë shqetësimet për mungesë të karburantit për avionët, duke theksuar se aktualisht nuk ka probleme në furnizim brenda unionit.

Reagimi vjen pasi kreu i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë, Fatih Birol, paralajmëroi për rezerva që mund të zgjasin vetëm edhe gjashtë javë.

Zëdhënësja e Komisionit Evropian, Anna-Kaisa Itkonen, tha se tregu mbetet i tensionuar, por nuk ka mungesa konkrete sipas të dhënave zyrtare.

Ajo shtoi se situata monitorohet çdo javë nga grupi i koordinimit të naftës në bashkëpunim me industrinë dhe shtetet anëtare.

Paralajmërimet për anulime fluturimesh lidhen kryesisht me pasigurinë në Ngushticën e Hormuzit, edhe pse kjo rrugë strategjike tashmë është rihapur.

Ndërkohë, çmimet e karburantit të avionëve janë rritur ndjeshëm, me rreth 95 për qind që nga fundi i shkurtit, pas tensioneve ushtarake në Lindjen e Mesme.

Komisioni Evropian pranon se po përgatitet për skenarë të mundshëm krize, megjithëse thekson se nuk ka indikacione për anulime masive të fluturimeve në këtë fazë.