Punimet për ndërtimin e qarkores Trebosh – Neproshten vazhdojnë të jenë pengesë për banorët e Treboshit, por edhe për bujqit e kësaj zone. Ata thonë se punët janë duke u stërzgjatur, ndërsa mosndërtimi në kohë i kanaleve të ujitjes ka bërë që gjatë reshjeve tokat e tyre të përmbyten. Ndërkohë, bujqit që takuam në rrugë thanë se kanali i ujitjes nuk është bërë ashtu siç duhet dhe ata kanë frikë se një pjesë e tokave do të mbetet pa ujitje.

“Duhet të bëhen disa kanale që të ujitet kjo tokë, se këtu diku ka lënë e diku jo. Nuk është ai plani që ka qenë para 50 vjetëve. Plus, gjysma e fushës do të mbetet pa ujitje sepse diku kanë lënë gypa e diku jo. Çfarë do të bëhet nuk e di askush, atë e dinë vetëm inxhinierët që e kanë marrë ta bëjnë”, tha një banor.

“Rruga në këtë gjendje është prej tre vitesh. Si t’ia bëjmë? I dëmtojmë veturat, jemi duke shkuar çdo ditë te mekaniku. Këta punët i çojnë si duan vetë; mundohen të punojnë, po i hapin të gjitha punët dhe i lënë në gjysmë. Atje e thyen urën dhe nuk të lënë të hysh, këtu urën tek kanali e lanë në gjysmë, nuk janë duke e rregulluar që të punohet diçka”, shtoi një tjetër banor.

“As nuk mund të ujisin, edhe veturat i shkatërrojmë. E kanë bërë fushën katastrofë, kjo rrugë është për turp. U kishim thënë që politikisht mos të bëjnë asgjë, se çfarë ka rregulluar politika e ka prishur krejt”, potencoi një banor tjetër.

Ndërkaq, Tahir Tairi, zëvendësdrejtor i Ndërmarrjes Publike për Rrugë Shtetërore, për Televizionin 21, në një përgjigje me shkrim thotë se punët janë kryer rreth 75%, ndërsa në tre kilometra është shtruar edhe një pjesë me asfalt. Sipas tij, nëse nuk del ndonjë pengesë, punimet do të duhet të përfundojnë në fund të muajit qershor.

“Aktualisht zhvillohen aktivitete përgjatë gjithë trasesë, është duke u punuar në shtresat përfundimtare të mbushjes me tampon në afërsi të mbikalimit, si dhe në realizimin e objekteve të quajtura kanale nënrrugore. Gjithashtu, punimet kryhen edhe në rrethrrotullimin e Neproshtenit, po ashtu po kryhen punët përfundimtare në përroin e Porojit. Paralelisht me punimet në trasenë kryesore, po punohet edhe në rrugët paralele të trasesë, të ashtuquajturat rrugë bujqësore (rrugë për mjetet me traktor).”Është vendosur shtresa e parë e asfaltit në një gjatësi prej rreth 3 km. Progresi i punëve është diku te 75%”, deklaroi Tahir Tairi – zëvendësdrejtor i NP “Rrugët Shtetërore”.

Afati i punimeve asokohe u tha se ishte 15 muaj dhe pritej që në maj 2025 të lëshohej në përdorim. Ndërkohë, që kjo qarkore të jetë funksionale, duhet të ndërtohet qarkorja që lidh autostradën me fshatin Trebosh, gjë që do të mundësonte që fshatrat e komunave të Tearcës dhe Jegunocit të mos hyjnë në qytet për t’u lidhur me autostradën Tetovë – Shkup.