Anijet e fundit që u nisën nga Ngushtica e Hormuzit para përshkallëzimit të krizës dhe bllokimit të këtij kalimi, tashmë kanë arritur në rafineri. Tregu tashmë po përballet me presion serioz dhe rrezik për mungesë të miliona fuçive në ditë për prodhimin e derivateve të naftës. Kjo hap çështjen nëse mungesa do të reflektohet edhe në furnizimin në Maqedoni. Sipas ekspertit të energjetikës Mitko Andreevski, qytetarët e Maqedonisë nuk duhet të kenë frikë se do të ketë mungesë fizike të karburanteve në treg.
“Qytetarët e Maqedonisë, mesazh nga unë, nëse është e mundur, të përmbahen nga paniku, naftë dhe derivate të naftës për Maqedoninë do të ketë, gjë që nuk është rast në Serbi apo Bullgari dhe Rumani, ku pronarë të rafinerive janë kompani ruse, si Gazpromneft ashtu edhe Lukoil”, tha Mitko Andreevski.
Por Andreevski thekson se problem dhe sfidë e madhe në të ardhmen do të jetë çmimi i naftës së papërpunuar, i cili për herë të parë në histori ndryshon jo vetëm në bazë ditore, por orë pas ore, madje edhe nga minuta në minutë, me kërcime të mëdha.
Megjithatë, pavarësisht kësaj, furnizimi do të mbetet stabil në Maqedoni, para së gjithash për shkak të kontratave afatgjata dhe burimeve të sigurta për furnizim me naftë të papërpunuar të kompanisë kyçe për shtetin, greke Hellenic Petroleum. Andreevski thotë se nuk mund të ndodhë skenari si me gazin natyror, kur tregjet e pasura aziatike e morën këtë energjent, kështu që në vend të Evropës përfundonte në Lindje. Sipas Andreevskit, kjo është e pamundur me naftën e papërpunuar, sepse kontratat që kanë kompanitë serioze, ndër të cilat edhe Hellenic Petroleum, garantojnë që sasitë do të dorëzohen në rafineri.
“Por duke e ditur se nga ku furnizohet, nga Norvegjia, një pjesë nga vendet afrikane, unë nuk besoj se do të vijë deri te një gjë e tillë. Si e para. Si e dyta, ato janë kontrata tepër serioze dhe nuk është aq e thjeshtë që dikush të ofrojë më shumë para dhe t’i zhvendosë ato. Kjo ndodh kur këto sasi nuk janë të kontraktuara paraprakisht, por janë në treg të lirë dhe tregtohen ditë për ditë. Por duke njohur politikën e punës së Hellenic Petroleum, kjo sigurisht nuk do të ndodhë”, deklaroi Mitko Andreevski.
Andreevski shton se gazi i lëngshëm teknikisht mund të blihet në det të hapur dhe të ridrejtohet te blerësit e pasur, por me naftën nuk është i njëjti rast. Arsyeja është se rafineritë punojnë me lloje të ndryshme nafte, të cilat përshtaten vetëm për impiante të caktuara. Rafineritë evropiane, përfshirë edhe ato të Hellenic Petroleum, në një pjesë shumë të vogël përpunojnë naftë nga Gjiri Persik, e cila më së shpeshti përfundon në rafineritë në Japoni dhe më gjerë në Azi.
