Gazetar: Avni Tahiri
Një vajzë e mitur nga Gostivari dyshohet se ka qenë viktimë e një rasti të rëndë përdhunimi dhe shantazhi, ndërsa autoritetet kanë arrestuar një 29 vjeçar, të dyshuar për ngjarjen. Sipas denoncimit në polici të bërë nga babai i vajzës së mitur, disa muaj më parë, në zonën e Gostivarit, vajza është ndaluar nga një person i panjohur i cili lëvizte me një automjet me ngjyrë të zezë. I dyshuari, sipas raportimit, kishte përdorur forcë fizike për të kryer përdhunim ndaj vajzës së mitur, duke e kërcënuar më pas atë dhe familjen e saj që të mos e denonconin rastin. Rasti është bërë edhe më shqetësues pasi më 22 prill 2026, në rrjetet sociale janë publikuar fotografi dhe video eksplicite të vajzës së mitur.
“Pas masave të ndërmarra, personi është gjetur dhe është kryer bastisje në shtëpinë e tij dhe në një shtëpi tjetër në fshatin Raven të Gostivarit, ku ai qëndronte. Gjatë aksionit janë sekuestruar një laptop, një telefon celular, pajisje USB dhe sende të tjera që dyshohet se burojnë nga kjo vepër penale. I dyshuari aktualisht po mbahet në stacion policor për procedurë të mëtejshme,” deklaroi Fatmir Rexhepi – Zëdhënës i MPB-së, Tetovë.
Një rast tjetër i rëndë ka ndodhur edhe në Shkup, ku Sektori i Punëve të Brendshme ka ngritur kallëzim penal ndaj personit me inicialet J.M. 58 vjeçar nga Shkupi për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale “përdhunim ndaj fëmijës nën moshën 15 vjeçare”. Sipas prokurorisë, me 15 prill, 58 vjeçari ka kryer akt të dhunshëm seksual ndaj një vajze 13-vjeçare nga Shkupi dhe të njëjtën e ka fotografuar. Pas masave të ndërmarra nga nëpunësit policorë nga Njësiti për Krime kundër dhunës në SPB Shkup, personi është privuar nga liria dhe të dyshuarit i janë konfiskuar një telefon celular dhe një automjet pasagjerësh. Nga gjykatësi i procedurës paraprake të denoncuarit i është caktuar masa e paraburgimit. /Alsat.mk
The post Dy raste të rënda abuzimi seksual ndaj të miturve në Gostivar dhe Shkup, policia nis hetimet appeared first on Alsat.
