Këngëtarja shqiptare, Bleona Qerreti ka qenë në hotelin Washington Hilton natën e 25 prillit, ku pati të shtëna me armë në darkën e organizuar nga presidenti Donald Trump me Korrespodentët e Shtëpisë së Bardhë, përcjell TV21.

“Momente para të shtënave”, ka shkruar Bleona në mbishkrimin e një video ku shihet vetura e presidentit Trump.

Bleona ka ndarë edhe fotografi nga darka e Korrespodentëve.

“Fuqia, politika dhe qepja me precizion. Darka e Korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë mbrëmë (tani do të riplanifikohet).”

Ndryshe, një burrë i armatosur depërtoi përmes sigurimit në gala mbrëmjen, ku po merrte pjesë presidenti amerikan Donald Trump, duke shkaktuar panik derisa agjentët e sigurisë e kapën dhe arrestuan, si dhe e larguan sigurt presidentin nga salla e hotelit.

Policia tha se një 31-vjeçar nga Kalifornia u arrestua natën e 25 prillit, pasi qëlloi me armë gjahu ndaj një agjenti të shërbimit sekret në një pikë kontrolli në hotelin Washington Hilton.

Agjentët e shërbimit sekret e nxorën me shpejtësi Trumpin nga salla. Të ftuarit me kostume elegante dhe fustane u panë duke u fshehur nën tavolina në ato çaste hutimi të madh.