Tre persona humbën jetën nga një sulm ushtarak amerikan ndaj një mjeti lundrues, i dyshuar se transportonte drogë në pjesën lindore të Oqeanit Paqësor.
Fushata e administratës së Donald Trump për shkatërrimin e mjeteve të dyshuara të lidhura me trafikun e drogës në ujërat e Amerikës së Jugut ka nisur në shtator të vitit të kaluar dhe deri më tani, sipas të dhënave, ka marrë të paktën 186 jetë. Sulme të ngjashme janë kryer edhe në Detin e Karaibeve.
Komanda Jugore e forcave të armatosura të SHBA-së njoftoi për sulmin e fundit, por nuk paraqiti prova nëse ndonjë nga mjetet e goditura po transportonte vërtet drogë.
Pas sulmit të djeshëm, Komanda Jugore publikoi në platformën “X” një video ku shihet një varkë duke lëvizur me shpejtësi të madhe përpara se të shpërthejë. Në njoftimin e ushtrisë thuhet se objektiv i sulmeve janë persona të dyshuar për narkotrafik përgjatë rrugëve të njohura të kontrabandës.
Presidenti Trump deklaroi se SHBA-të janë në “konflikt të armatosur” me kartelët në Amerikën Latine dhe i justifikoi sulmet si të domosdoshme për të kufizuar dërgesat e drogës drejt SHBA-së.
Ndërkohë, kritikët vënë në dyshim ligjshmërinë e këtyre sulmeve.
