Me 93 për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim Kuvendi i Republikës së Kosovës ka miratuar Projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë i cili mundëson konkretizimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve për organizimin e Lojërave Mesdhetare.
Kjo marrëveshje mori mbështetjen edhe nga grupet parlamentare të partive opozitare si Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.
Ministri i Ministrisë së Rinisë dhe Sportit, Blerim Gashani, tha se kjo marrëveshje nuk e cenon rolin e Kosovës si nikoqire por përkundrazi e fuqizon atë duke treguar fleksibilitet dhe kapacitet për të organizuar lojëra gjithëpërfshirëse.
“Organizimi i Lojërave Mesdhetare ‘Prishtina 2030’ përfaqëson një arritje strategjike për Republikën e Kosovës, duke e vendosur atë në hartën e ngjarjeve të mëdha sportive ndërkombëtare dhe duke dëshmuar kapacitetin institucional për të marrë përsipër përgjegjësi të kësaj natyre. Në këtë kuadër, marrëveshje me Republikën e Shqipërisë paraqet një zgjidhje funksionale dhe të arsyeshme për organizimin e disiplinave të lundrimit duke reflektuar realitetin gjeografik dhe nevojën për bashkëpunim rajonal. Duke qenë se Kosova nuk ka dalje në det, përfshirja e qytetit të Durrësit si vend zhvillimi për sportin e lundrimit është një zgjedhje logjike dhe në përputhje me standartet ndërkombëtare të organizimit të ngjarjeve multisportive. Kjo marrëveshje nuk e cenon rolin e Kosovës si nikoqire por përkundrazi e fuqizon atë duke treguar fleksibilitet dhe kapacitet për të organizuar lojëra gjithëpërfshirës në bashkëpunim me partnerë strategjik”, theksoi Gashani.
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Bylbyl Sokoli. theksoi se me këtë marrëveshje Kosova vepron si shtet mikpritës i Lojërave Mesdhetare ‘Prishtina 2030’
“Me këtë marrëveshje Kosova vepron si shtet mikpritës i Lojërave Mesdhetare ‘Prishtina 2030’, ndërsa Shqipëria bëhet partnere në organizimin e sportit të lundrimti në bashkinë e Durrësit”, tha Sokoli.
Arbnore Salihu, deputete e PDK-së, tha se kjo marrëveshje është jashtëzakonsith e rëndësishme për organizimin e këtyre lojërave.
“Duke e ditur rëndësinë e madhe që ka kjo marrëveshje për zhvillimin e Lojërave Mesdhetare, ne si grup parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës e mbështesim”, u shpreh Salihu.
Projektligji mori mbështetje edhe nga Lidhja Demokratike e Kosovës.
“Ne si Lidhje Demokratike e Kosovës e mbështesim këtë marrëveshje ndërkombëtare ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës dhe organizimit të tyre. Natyrisht, si çdo marrëveshje tjetër ndërkombëtare që është në interesin e vendit.
Kurse deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, tha se po i gëzohet një marrëveshjeje të tillë ndërmjer Kosovës dhe Shqipërisë.
“Po na vjen mirë që më në fund e kemi një marrëveshje Kosove-Shqipëri duke e ditur që nga kjo qeveri ka munguar në vazhdimësi bashkëpunimi me Republikën e Shqipërisë”, tha Kadrijaj.
Lojërat Mesdhetare do jë jenë ngjarja më e madhe sportive ndërkombëtare që është organizuar ndonjëherë në Kosovës./KosovaPress.
The post Kosova ratifikon marrëveshjen me Shqipërinë për “Prishtina 2030” appeared first on Alsat.
