Gazetar: Miki Trajkovski
Më shumë se dy muaj pasi dy personave juridikë nga Veleshta iu ndalua kryerja e gërmimeve mbi burimet në fshatin Shum, për shkak të dyshimeve për vepra penale si shfrytëzim i paligjshëm i lëndëve minerale dhe ndotje e ujit të pijshëm, ende nuk ka zgjidhje konkrete të rastit. Nga Prokuroria thonë së janë ka urdhëruar disa ekspertiza komplekse për cilësinë e ujit dhe për shkaqet që çuan në ndotjen e burimeve, për shkak të së cilës banorët e Strugës mbetën më shumë se një muaj pa ujë të pastër.
“Janë thirrur në vendngjarje edhe persona profesionistë, gjeodet dhe gjeolog, ndërsa priten edhe rezultatet e ekspertizave të urdhëruara me qëllim që të merret një vendim prokurorial. Ndërkohë, ndalimi për gërmime në afërsi të burimeve mbetet në fuqi. Prokuroria po ndërmerr edhe disa veprime të tjera”, deklaruan nga Prokuroria.
- Priten rezultatet e ekspertizave
- Ndalimi për gërmime në afërsi të burimeve mbetet në fuqi
Pavarësisht rekomandimit të ekspertëve për sanim urgjent të tokës mbi burimet, deri tani nuk ka asgjë konkrete. Drejtori i Ujësjellësit dhe Kanalizimit, Jovanço Meçkaroski, për Alsat tha se pa leje nga Prokuroria nuk mund të dalin në terren dhe të ndërmarrin masa. Madje tha se edhe po të kenë leje, nuk kanë kapacitete dhe makineri.
“Prokuroria Publike për fat të keq ende nuk ka rezultate konkrete, ndërsa ne presim edhe rezultatet e tyre për të përcaktuar fajtorët e saktë. Atje kemi gërmime të mëdha me miliona metra kub. Këtu duhet të përfshihet edhe shteti dhe të angazhojë kompani që do ta sanonin këtë. Ne me shumë gjasë do të përballemi sërish me ujë të cilësisë së dobët dhe të turbullt nëse kemi reshje të mëdha shiu. Sa më shpejt të zgjidhet problemi, aq më mirë do të jetë për Strugën”, tha Jovanço Meçkaroski, Drejtor i Ujësjellësit dhe Kanalizimit, Strugë.
Ndërkohë, nga Ujësjellësi publikuan fotografi nga hapësira prej nga në vitin 2022 janë vjedhur panelet fotovoltaike, të cilat i kishin marrë si donacion për nevojat e pompave në Shum. Nga atje thonë se, lidhur me kërkesën drejtuar Prokurorisë Publike për ecurinë e rastit, kanë marrë përgjigje se nuk ka të dyshuar./Alsat.mk.
The post Hetimet për gërmimet në Shum vazhdojnë, shqetësime për cilësinë e ujit mbeten të larta appeared first on Alsat.
