Gazetar: Zekirija Haxhiu
Shumica parlamentare miratoi ligjin për Qeveri me të cilën shfuqizohet Qeveria Teknike, e cila funksionon 100 ditë para mbajtjes të zgjedhjeve parlamentare. Interesi për fjalime nga ana e deputetëve ishte i lartë ndërsa më e zëshme ishte opozita. Fronti Evropian në fillim kërkoi që ligji të dërgohet për mendim dhe shqyrtim në Komitetin për Marrëdhënie mes Bashkësive, komision i cili në Kuvend ende nuk ka mbajtur asnjë seancë.
“Por në nenin 87 paragrafi 4 shkruan se nuk vendosë koordinatori, nuk vendos kryetari i Kuvendit, nënkryetari apo kush do qoftë, por shkruan se Kuvendi mund të vendosë. Për këtë unë jam i detyruar që propozimin tuaj ta vë në votim të shohim nëse Kuvendi pranon propozimin tuaj seanca të ndërpritet”, theksoi nënkryetari i Kuvendit, Antonio Milloshoski.
“Nuk është çështje votimi kjo. Në momentin që unë kërkoj me rregullore, me ligj dhe Kushtetutë, kjo direkt duhet të shkojë në komitetin për marrëdhënie mes bashkësive”, u përgjigj Rina Ajdari nga Fronti Evropian.
Adnan Azizi nga VLEN i rikujtoi Frontit Evropian se edhe kur është miratuar Qeveria teknike është miratuar përmes komisionit të sistemit politik dhe përmes këtij komisioni duhet të shfuqizohet.
“Sinqerisht jeni për të ardhur keq. Çdo po-je ja nxjerrni një jo. Çdo kërkesë të juajën e demantoni kur jeni në opozitë. Ju keni kërkuar që të shfuqizohet qeveria teknike, tani po kërceni prej vendit që të mos shfuqizohet”, tha Azizi.
“Prandaj edhe një herë ju kërkoj që ky votim të realizohet me badenter përndryshe do ta lëshojmë sallën e Kuvendit”, paralajmëroi Ajdari.
Kështu edhe veproi. Fronti Evropian braktisi seancën pasi shumica nuk pranoi kërkesën e tyre.
Pjesa tjetër e opozitës nuk e braktisi seancën. E Majta e mbështeti ndërsa LSDM paraprakisht pati paralajmëruar se do të braktisë grupin e punës për ndryshimet në Kodin Zgjedhor. Për votuan gjithsej 70 deputetë ndërsa 11 ishin kundër. Me ndryshimet e ligjit, qeveria teknike do të vlejë vetëm edhe në zgjedhjet e ardhshme parlamentare./Alsat.mk
The post Kuvendi shfuqizoi Qeverinë Teknike, do të vlejë vetëm edhe një palë zgjedhje appeared first on Alsat.
