Përveç “Dura” dhe “Aptiv”, për momentin nuk ka njoftime për “shpërngulje” të kompanive të tjera nga zonat teknologjike-industriale zhvillimore – thotë drejtori i ZTIZH-së, Goce Dimovski në emisionin Biznes 21. Sipas tij, edhe përkundër krizës nga konflikti në Lindjen e Mesme, gjendja në zonat është stabile, nuk ka ulje të porosive dhe numrit të të punësuarve. Në tremujorin e parë të këtij viti është rritur edhe eksporti nga zona. Për rënien drastike të investimeve të huaja nga 1,25 miliardë euro në vitin 2024 në më pak se 500 milionë euro vitin e kaluar, Dimovski thotë se kjo vjen si pasojë e faktit që kompanitë nga Maqedonia kanë kthyer para tek pronarët e tyre jashtë vendit.
“Në vitin 2024, instrumentet totale të borxhit që kanë të bëjnë me kredi dhe huadhënie ndërmjet kompanisë mëmë dhe kompanisë bijë kanë qenë në plus 686 milionë euro. Çfarë do të thotë kjo? Që kompanitë nga jashtë kanë transferuar mjete në bazë të kredive dhe mjeteve të tjera tek kompanitë në Maqedoni. Ndërsa në vitin 2025, ai shumë është 103 milionë euro në minus, që do të thotë se ka dalje të kapitalit. Dhe nëse në vitin 2024 ato dy shuma mblidhen, në vitin 2025 ato zbriten”, tha Goce Dimovski.
Dimovski thotë se po punohet për Strategjinë Kombëtare për zhvillim, në të cilën do të ketë një koncept të ri për tërheqjen e investitorëve të huaj. Përveç projektit “Invest in Macedonia”, për të cilin nuk zbuloi detaje se çfarë dhe si do të ofrohet, tani investitorët e huaj, në vend që të tërhiqen sipas skemave, do të tërhiqen individualisht.
– Koncept i tërheqjes për çdo rast të veçantë të dhënies së mbështetjes. Jo siç ka qenë më parë me skema, por konkretisht.
-Pra, bisedime ballë për ballë me çdo kompani të veçantë dhe ngjashëm? A nuk hapen këtu mundësi të tjera për korrupsion?
-Jo, këtu nuk hapen, sepse ato dorëzojnë plan biznesi, mbështetja jepet në përputhje me ligjin. Nëse diçka jepet në përputhje me ligjin si mbështetje, këtu unë nuk shoh diçka kundër ligjit. Nëse është kundër ligjit, atëherë po.
Dimovski thotë se janë në fazë finale negociatat me disa kompani të huaja që pritet së shpejti të marrin vendime për investim në zonat.
