Ka rënie që janë thjesht sportive, sepse nuk posedohen financat e duhura, pa të cilat sot nuk bën dot përpara në futboll. Ka rënie që janë turp kolektiv, sepse paratë nuk kanë qenë problemi. Kjo e dyta ka ndodhur me Lushnja dhe Apolonia, dy skuadrat fqinje myzeqare, që kanë rënë nga Kategoria e Parë. Të dyja, nga sezoni i ardhshëm, në mënyrë të pabesueshme, do të militojnë në Kategorinë e Dytë.
Dy emra historikë, dy qytete me kulturë futbolli të rrallë, dy tifozëri të zjarrta e shohin veten në rrokullisje turpëruese. Kjo, jo për mungesë tradite, jo për mungesë talentesh, as financash, sidomos në rastin e lagunarëve. Degradimi ka ardhur për mungesë drejtimi, vizioni dhe përgjegjësie.

Lushnja nuk është një klub i zakonshëm, por që merr nga bashkia mbi 500 milionë lekë të vjetra në sezon. Është skuadra që solli ndër të parët futbollistë të huaj në Shqipëri, brazilianin Edu, dhe që u drejtua nga legjenda Mario Kempes. Është Lushnja e ikonave si Sajmir Malko, Artan Bano dhe shumë të tjerëve, të cilët i dhanë identitet futbollit vendas.
Rënie graduale nga Superiorja në Kategorinë e Dytë, mes trajnerëve që pasojnë njëri-tjetrin pa kriter, mungesës së efikasitetit të investimeve dhe një bashkie (Lushnja) e presidenti (Kokëdhima) që prej vitesh duken më shumë spektatorë sesa garantues projektesh serioze.

Nëse për lushnjarët ka akuza se paratë kanë firuar më së shumti rrugës, në drejtime të paditura, ose për persona që nuk luajnë në fushë, po tek Apolonia çfarë po ngjet?! Kokëdhimës vështirë “t’i firojë” qoftë edhe një qindarkë, ai sponsorizon edhe Superioren (e cila mban emrin e kompanisë së tij të internetit), atëherë mos vallë nuk i ka prioritet ngjyrat bardhejeshile të një qyteti që i ka dhënë shumë futbollit?

Këtë degradim nuk e meriton Apolonia e Kujtim Majacit, e brezave të tërë që ushqyen futbollin vendas dhe kombëtaren shqiptare. E pafalshme kjo rrëshqitje në heshtje, nën drejtimin e Koço Kokëdhimës prej vitesh, i cili nuk ka arritur të ndërtojë një model të qëndrueshëm dhe suksesshëm sportiv. Investimet sporadike nuk kanë sjellë stabilitet, ndërsa rezultatet janë përkeqësuar; nga pretendente për elitë, në një skuadër që tashmë endet në nivelet më të ulëta.
Shifrat flasin vetë; dy klube që dikur prodhonin talente dhe konkuronin në nivele të larta, sot nuk arrijnë të mbajnë as standardin më minimal. Rënia nuk është aksidentale, por pasojë e viteve të keqmenaxhimit.

Me Lushnjën dhe Apoloninë jashtë elitës, futbolli shqiptar humbet një pjesë të rëndësishme të hartës së tij. Myzeqeja, një nga “zemrat” e futbollit vendas, spostohet në periferi, në fusha dytësore, larg vëmendjes dhe investimit. Kjo nuk është vetëm krizë sportive, por dështim institucional. Përgjegjësit dihen; pushteti lokal në Lushnjë dhe drejtimi privat në Fier.
Në fund, humbësi më i madh nuk është vetëm një klub apo një qytet. Është vetë futbolli shqiptar. Lajm shumë i keq jo vetëm për dy tifozëritë përkatëse, por krejt dashamirësit e futbollit tonë.
The post Lushnja dhe Apolonia, nga krenari e Myzeqesë në periferi të futbollit shqiptar appeared first on Telesport.
