Për më shumë se 6 orë flakë dhe tym në deponinë e automjeteve në Shuto Orizare.
Nga mesdita u raportua për një shpërthim zjarri në deponinë e materialeve lehtësisht të djegshme, si goma dhe plastikë në Shuto Orizare të Shkupit. Tym i dendur kaploi të gjithë veriun e kryeqytetit dhe era ndihmoi që zjarri të merr hov, duke bërë që disa nga personeli i depos të kërkojnë edhe ndihmë mjekësore tek autoambulanca
“Këto janë maskat kundër zjarrit, të cilat po numërohen në gishta, për stafin të cilët kanë intervenuar për shuarjen e zjarrit që nuk po arrijnë ta lokalizojnë për shumë orë këtu në Shuto Orizare, ku njëra nga shkaqet dyshohet se është shpërthimi i makinerisë që bën kompresimin e automjeteve këtu në deponinë e njërës nga bizneset private”, raporton gazetari i TV21, Adnan Qaili.
Nga Qendra për menaxhim me krizat thanë se janë në gjendje gatishmërie të intervenojnë edhe nga ajri,
por siç shtuan, erërat e forta ndryshojnë trajektoren e tymit papritmas dhe përbëjnë rrezik për helikopterët. Me 8 autocisterna dhe pompa për shuarjen e zjarrit për më shumë se 6 orë u hedhën ujë pa pushim.
“Nga Qyteti i Shkupit patëm kërkesë edhe për ndërhyrje nga ajri ku bëmë kërkesë tek të gjithë institucionet relevante, ku u përgjigjën pozitivisht nga Ministria e Mbrojtjes, helikopteri është në pistë dhe pret thirrjen tonë për intervenim, por për shkak se ka shumë tym dhe nuk ka pamje, komandanti i zjarrfikësve të Shkupit tha që momentalisht nuk kemi kushte dhe nuk ka nevojë për intervenim”, tha drejtori i Qendrës për Menaxhim me Kriza, Muhamed Ali.
Paralelisht me ndërhyrjen, në terren u panë edhe shërbimet inspektuese të Qytetit të Shkupit, të Ministrisë së Brendshme, Inspektorati Shtetëror për Mjedisin Jetësor dhe Prokuroria Publike.
“Do të përcaktohet përgjegjësia për situatën dhe sjelljet e pamatura dhe krijimin e deponive të paligjshme që rrezikojnë shëndetin publik dhe mjedisin nuk do të tolerohen”, thonë nga Qyteti i Shkupit.
Kujtojmë që kompania e njëjtë “ASD Melat Group” pak metra larg zjarrit të sotshëm, pati një rast identik një vjet, ku për disa ditë sa u dogj deponia e mbetjeve të makinave, duke dëmtuar ambientin. Prokuroria pati ngritur akuzë kundër tre personave fizikë dhe një personi juridik për vepër penale – Rrezikim i Mjedisit dhe Natyrës me Mbeturina sipas nenit 230 të Kodit Penal.
Tymi i zi në vendin e deponisë ka vazhduar edhe në orët e pasdites.
