Policia ka ngritur kallëzime penale ndaj prindërve të fëmijëve që ushtruan dhunë ndaj një vajze të mitur në lagjen Gjorçe Petrov në Shkup.
Sipas njoftimit të autoriteteve, janë dorëzuar gjithsej gjashtë kallëzime penale për veprën “neglizhencë dhe keqtrajtim i fëmijës”. Rastet janë proceduar nga Njësia për Punë të Brendshme Gjorçe Petrov pranë SPB Shkup, në Prokurorinë Themelore Publike.
Nga policia bëjnë të ditur se prindërit do të mbajnë përgjegjësi pasi fëmijët e tyre kanë kryer vepër penale, konkretisht sulm fizik ndaj një vajze 13-vjeçare.
Ndërkohë, gjatë ditës së djeshme janë ngritur kallëzime edhe ndaj katër të miturave të përfshira në rast, tre prej tyre 14-vjeçare dhe një 17-vjeçare, për dhunën e ushtruar ndaj viktimës.
Autoritetet theksojnë se po ndërmerren masa për zbardhjen e plotë të rastit dhe mbajtjen e përgjegjësisë ligjore për të gjithë të përfshirët.