Një postim i fundit në rrjetet sociale ka nxitur reagime dhe spekulime në skenën politike, pasi u interpretua si sinjal për afrimin e deputetes së Vetëvendosjes, Jeta Statovci, me ish-presidenten Vjosa Osmani.

Përmes një mesazhi publik me tone emocionale dhe politike, Osmani ka folur për rrugëtimin e përbashkët me Statovcin në Kuvendin e Kosovës, duke lënë të kuptohet se bashkëpunimi i tyre politik po vazhdon edhe më tej.

“E nisëm bashkë rrugëtimin në Kuvend. Dhe bashkë po vazhdojmë drejt Kuvendit,” thuhet në nisje të postimit.

Në mesazh, Osmani kujton fillimet politike të Jeta Statovcit, duke theksuar se ajo ishte vetëm 26 vjeçe kur mori mandatin e saj të parë si deputete, ndërsa më pas u rizgjodh tri herë radhazi me mbështetjen e qytetarëve, duke qenë ndër deputetet më të votuara.