Gazetare: Ajnur Bafqari
Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski ka vendosur të pezullojë Ligjin e ri për policinë dhe atë për Punë të Brendshme me çka pezullohet sistematizimi në MPB. Këtë e konfirmoi ai në një emision në televizionin Alfa, ku theksoi se do t’i propozojë Kuvendit shtyrjen e zbatimit të dy ligjeve, në mënyrë që ato të hyjnë në fuqi pas procesit të ardhshëm zgjedhor parlamentar. Ky propozim sipas Toshkovskit, vjen pas kritikave nga LSDM-ja.
“Ligji duhej të hyjë në fuqi nga 1 korriku, por që të mos dale se po bëjmë presion mbi Gjykatën Kushtetuese, në këtë periudhë prej dy vitesh do të ketë mjaftueshëm mundësi dhe kohë për debat, nëse përcaktime të caktuara ligjore janë të sakta ose të pasakta. Do ta prolongojmë ligjin 2 vite.”, deklaroi, ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski.
Opozitarja LSDM e cilësoi si arritje të tyre.
“Kjo është fitore e LSDM-së për të gjithë qytetarët e Maqedonisë dhe për profesionistët në polici, fitore e profesionalizmit mbi partizimin dhe kontrollin politik mbi policinë. NE dorëzuam iniciativë ne Gjykatën kushtetuese, me çka e bllokuam partizimin e MPB-së “, thonë nga LSDM.
Ligji për polici parashihte edhe sistematizim të ri në MPB, shkurtimin e pozitave dhe subordinimin e ri në polici. Sipas planit, shkurtoheshin qindra pozicione, ndërsa goditja më e rëndë shkonte ndaj përfaqësimit të drejtë dhe adekuat. Ministri Toshkovski kishte deklaruar se kjo bëhet për të rikthyer meritokracinë mbi bazën e profesionalizmit dhe jo plotësimin e dëshirave etnike. /Alsat.mk
The post Toshkovski pezullon Ligjin për Policinë, shtyhet sistematizimi në MPB appeared first on Alsat.
