Shtetet e Bashkuara kanë larguar të gjithë uraniumin shumë të pasuruar që kishte mbetur në një reaktor të vjetër kërkimor në Venezuelë. Lajmi u konfirmua nga Administrata Kombëtare për Sigurinë Bërthamore e Departamentit amerikan të Energjisë, e cila njoftoi se operacioni u realizua në bashkëpunim me partnerë ndërkombëtarë dhe Agjencinë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike.
Sipas autoriteteve amerikane, nga reaktori RV-1 në Karakas janë larguar 13.5 kilogramë uranium të pasuruar, material që përdorej më herët për kërkime në fizikë dhe energji bërthamore. Uraniumi ishte pasuruar mbi pragun prej 20 për qind, nivel që konsiderohet uranium shumë i pasuruar.
IAEA bëri të ditur se materiali bërthamor është transportuar në mënyrë të sigurt nga Amerika e Jugut drejt objektit Savannah River në Karolinën e Jugut, pas një operacioni të ndërlikuar dhe të ndjeshëm. Reaktori venezuelian kishte dalë jashtë funksionit që në vitin 1991, ndërsa materiali i mbetur konsiderohej i tepërt për përdorim kërkimor.
