Gazetari Berat Buzhala ka komentuar përdorimin e Inteligjencës Artificiale (AI) për qëllime politike, duke i cilësuar si “montazhe” materialet që po qarkullojnë së fundmi në rrjetet sociale kundër eksponentëve të opozitës.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Buzhala ka bërë krahasimin mes përdorimit global të teknologjisë për progres dhe mënyrës se si ajo po përdoret në Kosovë. Sipas tij, ndërsa bota po shfrytëzon AI-n për zbulime në mjekësi, në Kosovë kjo teknologji po shfrytëzohet nga pushteti për të goditur rivalët politikë.
“Foto e paqenë”
Fokusin e reagimit të tij, Buzhala e ka vendosur te një fotografi që po qarkullon në internet, ku shihen Lumir Abdixhiku, Sami Lushtaku dhe biznesmeni Blerim Devolli. Buzhala pohon se kjo fotografi është e rreme (montazh), por që ka arritur të marrë vëmendje të madhe online.
“Bota po e përdor AI-n me bë zbulime në mjekësi, pushteti i Kurtit me i fitu zgjedhjet duke bë montazhe. Kjo foto e paqenë i ka marrë mbi 7 mijë pëlqime (likes),” shkroi ai.
Ironia me figurat politike
Në fund të reagimit të tij, gazetari nuk ka kursyer as ironinë, duke sugjeruar se personat që qëndrojnë pas këtyre montazheve mund të shkonin edhe më tej në narrativën e tyre.
“Çudi që nuk e kanë shti edhe Vuçiqin,” përfundoi ai, duke aluduar në përpjekjet për të ndërtuar lidhje të paqëna mes opozitës dhe figurave kontroverse.
Ky reagim vjen në një kohë kur lufta digjitale dhe përdorimi i imazheve të gjeneruara nga AI po bëhen gjithnjë e më prezente në prag të zhvillimeve elektorale në vend.

