Gazetare: Melihate Rustemi
Rastet e fundit të pedofilisë dhe dhunës në shkolla kanë nxitur institucionet të paralajmërojnë masa më të ashpra për mbrojtjen e nxënësve. Ministria e Arsimit dhe Shkencës njoftoi se do të nisë procesi i licencimit të psikologëve shkollorë, me qëllim identifikimin në kohë të problemeve dhe parandalimin e rasteve të abuzimit dhe dhunës në ambientet shkollore.
“Do ta forcojmë provimin e praktikës profesionale sepse aty nevojiten ndryshime dhe, përveç kësaj, do të nisim iniciativë për licencimin e psikologëve, roli kryesor i të cilëve do të jetë të identifikojnë çdo problem në shkollë dhe të ndërmarrin masa. Licencimi do të ketë të bëjë me të gjithë punën e tyre. Ekzistojnë edhe mjete të tjera që ne i zbatojmë. Çdo gjë që vërehet raportohet tek institucionet përkatëse”, tha Vesna Janevska, ministre e Arsimit
Kryetari i Shkupit, Orce Gjorgjievski, njoftoi se pas 15 ditësh do të fillojë të funksionojë mbështetje psikologjike falas në shkollat e mesme të Shkupit, që do të jetë bashkëpunim mes një operatori të jashtëm dhe Qytetit të Shkupit.
“Nëse duam t’i zgjidhim problemet afatgjatë, duhet të zhvillojmë një strategji që do të sjellë efekte pozitive. Rrënjën duhet ta kërkojmë në familje dhe së pari aty duhet kushtuar vëmendje, të shohim nga buron agresiviteti dhe sjellja devijante e individit ose e grupit, paralelisht të punohet me familjet dhe profesorët, por duhet punuar shumë edhe me fëmijët, si në shkollat fillore ashtu edhe në ato të mesme”, theksoi Orce Gjorgjievski, kryetar I Qytetit të Shkupit
Janevska dhe Gjorgjivski theksuan se problemet e ndryshme nuk ndodhin vetëm brenda objekteve shkollore, por se këto dukuri devijuese, shfaqen edhe gjatë vandalizimit të këndeve të lojërave për fëmijë dhe pajisjeve urbane në qytet./Alsat.mk.
The post Ministria e Arsimit do të filloj licencimin e psikologëve shkollorë për parandalimin e dhunës dhe bullizmit appeared first on Alsat.
