Në QSHA „ Boro Petrushevski” – Shkup, sot dhe nesër po mbahet Gara Kombëtare e Aftësive, në organizim të Odës së Zejtarëve të Shkupit me mbështetjen e Bashkimit Evropian. Në garë marrin pjesë nxënës nga shkollat e mesme profesionale, ndërsa pjesëmarrje të suksesshme u uruan ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Prof. Dr. Vesna Janevska, ambasadori i Bashkimit Evropian, Mihalis Rokas, kryetari i Qytetit të Shkupit, Orce Gjorgjievski, drejtori i Qendrës për Zhvillimin e Arsimit Profesional dhe Trajnimit, Besnik Zendeli, si dhe kryetari i Odës së Zejtarëve të Shkupit, Goran Ristovski.
Në fjalimin e saj, ministrja Janevska theksoi se në një kohë kur ekonomitë në mbarë botën po përballen me mungesë të aftësive, automatizim dhe nevojë për rritje të qëndrueshme, përcaktimi shoqëror për forcimin e arsimit profesional po dëshmohet si strategjikisht i arsyeshëm dhe produktiv.
Ministria e Arsimit dhe Shkencës, me reformën e arsimit të mesëm dhe të lartë, ka përcaktuar rrugë arsimore që çojnë drejt punësimit. Me ligjërimin e arsimit dual, kemi rregulluar marrëdhëniet ndërmjet shkollave të mesme dhe sektorit të biznesit. Kemi arritur në shifrën prej 800 punëdhënësish që u mundësojnë nxënësve të mësojnë në vende reale pune. Ky numër do të rritet, sepse çdo kompani e re e sheh përfitimin konkret përmes kuadrove më të trajnuara dhe kostove të reduktuara”, tha Janevska.
Ajo theksoi se nxënësit e shkollave të mesme që janë përcaktuar për të mësuar një zanat të caktuar, do të mund të vazhdojnë arsimin në sistemin e arsimit të lartë dual, gjë që mundësohet me Ligjin e ri për Arsimin e Lartë, i cili së shpejti do të gjendet para deputetëve. Qëllimi është, siç tha ajo, të krijojmë profesionistë me arsim të lartë, të përgatitur për tregun bashkëkohor të punës, të cilët do t’i kombinojnë aftësitë e fituara me njohuritë akademike.
Aktualisht, në 76 shkolla të mesme publike realizohet arsimi profesional. Çdo nxënës zhvillon arsim praktik, përkatësisht mësim përmes punës. Në vitin aktual shkollor, pothuajse 70% e nxënësve të klasave të nënta janë regjistruar në shkolla profesionale. Për të siguruar cilësi më të mirë të arsimit, nga viti shkollor 2025/2026 në shkolla janë përfshirë këshilltarë për karrierë dhe koordinatorë për arsimin praktik.
Janevska informoi se për vitin e ri shkollor 2026/2027 janë siguruar mbi 25 mijë vende për regjistrim të nxënësve në vitin e parë, prej të cilave 17 mijë në arsimin profesional, ndërsa nga ato, afro 7 mijë në paralele duale. Gjithashtu po futen disa profile të reja arsimore, si: Teknik për teknologji multimediale, Teknik kompjuterik për zhvillimin e video-lojërave dhe realitetit virtual, si dhe Teknik për ngrohje dhe klimatizim me efikasitet energjetik.
“Vlerësoj se nxënësit dhe prindërit e njohin arsimin e mesëm profesional si model vërtet të suksesshëm të arsimit në Maqedoni. Kjo do të thotë gjithashtu se zanatet kanë të ardhme, ose siç thuhet shpesh mes qytetarëve – zanatet vlejnë ar ”, shtoi ministrja.
