Prokuroria e Krimit të Organizuar ka ndërprerë hetimin mbi dyshimet për keqpërdorime në TEC Negotinë që i referoheshin tenderit në vlerë 167 milion euro. Sipas organit të akuzës, në hetimet e deritanishme nuk është dëshmuar se të akuzuarit kanë kryer veprën penale. Sipas prokurorisë, procedura për tenderim është bërë në përputhje me kushtet dhe rrethanat e krizës energjetike aso kohe.
“Hetimi ka dëshmuar se procedurat ishin transparente. EMV-ja kishte për qëllim përfshirjen e të gjithë operatorëve që kanë pasur licenca për tregti me mazut. Ka kontaktuar të gjithë operatorët ekonomik dhe kanë marrë pjesë në mënyrë transparente. Është konstatuar nga deklaratat e operatorëve ekonomik se disa prej tyre nuk kanë marrë pjesë për shkak të vlerësimeve në pamundësi për të kryer furnizimet e kërkuara”, deklaruan nga Prokuroria e Krimit të Organizuar.
PROCEDURA ISHTE TRANSPARENTE
JANË KONTAKTUAR TË GJITHË OPERATORËT
OPERATORËT JANË TËRHEQUR VETË
VMRO-DPMNE-ja këtë veprim të Prokurorisë së Krimit të Organizuar e ka vlerësuar si akt që kreu i këtij organi punon në shërbim të pushtetit të kaluar.
“Shefi i Prokurorisë së Krimit të Organizuar, Islam Abazi i cili punon për Filipçen, Zaevin dhe Ahmetin ka sjell vendim kundërthënës për të ndaluar hetimin në rastin e tenderit për furnizim me mazut në TEC Negotinë me vlerë prej 167 milion euro. Islam Abazi si komshiu i Ali Ahetit nga Zajasi po bën punën e marrë nga Ahmeti dhe me direktiva nga Filipçe dhe Zaevi solli vendim që të ndërpret hetimin kundër anëtarit të LSDM-së, Vasko Kovaçevski dhe djalit të deputetit të BDI-së, Asmir Jahoski”, tha Antonio Milloshovski, Deputet i VMRO-DPMNE së.
Në hetim ishin përfshirë 13 persona, në mesin e tyre pronari i “Pucko Petroll”, Asmir Jahoski, pronarët e kompanisë “RKE” Erxhan Sulkovski dhe Ratko Kapushevski, përfshi edhe ish drejtorin e Elektranëve të Maqedonisë së Veriut, Vasko Kovaçevski i cili aktualisht ndodhet në arrati. Jahoski gjatë hetimit u la në arrest shtëpie, por pas presionit nga opinionit u dërgua në paraburgim. Më pas, falë garancisë prej 2 milion eurove, Jahoski përfundoi vetëm në masa kujdesi./Alsat.mk.
The post Prokuroria e Krimit të Organizuar ndërpret hetimin për tenderin 167 milionë euro të mazutit në TEC Negotinë appeared first on Alsat.
