Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, ka vlerësuar suksesin e shqiptarit nga Çegrani i Gostivarit, Albon Rexhepi, i cili po kontribuon në një nga projektet më të rëndësishme të eksplorimit hapësinor modern.
Përmes një statusi publik, Ahmeti shprehu krenarinë për arritjet profesionale të Rexhepit, duke theksuar rolin e tij në kompaninë DEWETRON, e cila ka dhënë kontribut në misionin hapësinor Artemis II, konkretisht në aspektin e sigurisë dhe mbikëqyrjes gjatë rrugëtimit të kapsulës Orion.
“Është krenari të shohim një shqiptar që me punën, përkushtimin dhe profesionalizmin e tij po bëhet pjesë e historisë së teknologjisë dhe eksplorimit hapësinor”, ka shkruar Ahmeti.
Ai gjithashtu i uroi Rexhepit suksese të mëtejshme në karrierën profesionale, duke shprehur besimin se projektet dhe angazhimet e tij do të vazhdojnë të jenë burim krenarie për shqiptarët kudo.
Suksesi i Albon Rexhepit konsiderohet një tjetër dëshmi e potencialit dhe talentit shqiptar në industrinë globale të teknologjisë dhe inovacionit.
