Sezoni i Romelu Lukaku me Napolin ka përfunduar. Pas përpjekjeve për t’u rikuperuar në Castel Volturno nën drejtimin e Antonio Conte, sulmuesi belg është kthyer në Belgjikë për të vazhduar rehabilitimin në prag të Botërorit.

Vendimi është marrë në marrëveshje me stafin mjekësor të Napolit, klubin dhe vetë Conte, duke e konsideruar si zgjedhjen më të mirë për gjendjen fizike të “Big Rom”, që mbush 33 vjeç. Lukaku do të stërvitet në qendrën e kombëtares belge për t’u rikuperuar nga dëmtimi që e shqetëson që prej gushtit 2025; lezioni i rëndë në muskulin rectus femoris të kofshës së majtë.

Rikuperimi nuk ka qenë kurrë i plotë dhe shqetësimi mbetet i madh edhe për Botërorin e kësaj vere. Trajneri i Belgjikës, Rudi Garcia, dëshironte ta shihte në fushë për të vlerësuar progresin e tij, por tani pret përgjigje konkrete gjatë stërvitjeve individuale. Belgjika do të luajë miqësore ndaj Kroacisë më 2 qershor dhe Tunizisë më 6 qershor, ndërsa debuton në Botëror më 15 qershor kundër Egjiptit.

Lukaku nuk do të rikthehet për dy ndeshjet e fundit të kampionatit ndaj Pisa dhe Udinese Calcio. Një zgjedhje që duket se paralajmëron edhe largimin e tij nga Napoli, pas një sezoni të vështirë, ku nuk u pa më sulmuesi që kontribuoi në fitimin e titullit kampion vetëm një vit më parë.

The post Lukaku, sezoni mbyllet këtu. Nuk kthehet te Napoli, rrezikon edhe Botërorin me Belgjikën appeared first on Telesport.