Dinamo është fituesja e Kupës së Shqipërisë për sezonin 2025-2026. “Blutë” e drejtuar nga Ilir Daja mundën 3-2 Egnatian në finalen e madhe të luajtur në “Air Albania”.

Rrogozhinasit e nisën shumë keq takimin, pasi që nga minuta e 6-të mbetën me një lojtar më pak.

Pas një përplasjeje me portierin Aldo Teqja, sulmuesi i Egnatias, Soumaila Bakayoko, ndëshkohet direkt me karton të kuq nga arbitri kryesor i takimit, Enea Jorgji.

Aldo Teqja largohet nga fusha me ambulancë, pasi përplasja ishte shumë e fortë. Në vend të tij u fut portieri 21-vjeçar, Tomas Kiri. Duke përfituar edhe nga avantazhi numerik në fushë, Dinamo kaloi e para në avantazh në minutën e 23-të, ku ishte Malomo që gjeti rrjetën pas një pasimi të bukur të Nani. Festë e madhe te “Blutë” dhe goi i dedikohet Aldo Teqjas

Në minutën e 29-të ishte i zakonshmi Dejvi Bregu i cili dyfishoi shifrat, me një gol spektakolar pas një goditjeje të fuqishme me të djathtën nga distanca. Pjesa e parë mbyllet 2-0 për Dinamon.

Në fillim të pjesës së dytë, edhe Dinamo mbetet me 10 lojtarë. Autori i golit të parë, Malomo merr kartonin e dytë të verdhë për vonesë në goditjen e këndit dhe del mga fusha e lojës. Në minutën e 81-të, Nikola Buric rihap takimin, duke gjetur golin pas një topi të humbur nga futbollistët e Dinamos në zonën e tyre.

Megjithatë kundërpërgjigjja e “Bluve” ishte e menjëhershme duke gjetur golin e tretë me sulmuesin e futur si zëvendësues në pjesën e dytë, Ibrahim Mustapha, i cili shënoi një gol të bukur me një goditje të fortë nga jashtë zonës. Në minutat shtesë, Egnatia shënoi golin e dytë, por s’kishte më kohë për më shumë. Dinamo fiton 3-2 dhe Kupa e Shqipërisë për këtë sezon është e saja.

The post Kartonë të kuq dhe spektakël golash në “Air Albania”. Dinamo mposht Egnatian dhe fiton Kupën e Shqipërisë appeared first on Telesport.