Gazetare: Linda Ebibi Ademi
LSDM-ja akuzon pushtetin se po shpërndanë miliona euro për firma të preferuara, duke theksuar se një kompani ka marrë mbi 90 tenderë. Sipas tyre, bëhet fjalë për një sistem korruptiv në të cilin të njëjtat firma përfitojnë vazhdimisht, si në nivel lokal ashtu edhe në atë qendror, në institucione dhe komuna të udhëhequra nga kuadro të VMRO-DPMNE-së.
“Sot zbulojmë një skandal të ri. Një firmë tjetër e preferuar e VMRO-OKG. Firma MASTEF DOOEL, e afërt me pushtetin, ka marrë plot 93 tenderë. Vlera totale është mbi 18,3 milionë euro. Para të popullit. Shumat më të mëdha janë realizuar në Shkup, ku është edhe tenderi i fundit për parkun Luna, nga e njëjta firmë. Kur Orce premtonte pastrimin e qytetit, me sa duket mendonte për pastrimin e xhepave të qytetarëve, sepse mbeturinat kanë mbetur. Paratë po pastrohen në masë të madhe. Shteti po fundoset në borxhe. Qytetarët mezi mbijetojnë”, tha, Jon Frçkovski nga LSDM
Nga partia në pushtet kundërpërgjigjen duke thënë se LSDM po fsheh faktin se kompania “Mastef” në periudhën 2018–2021 ka qenë ndër më të preferuarat e kryetarëve të komunave nga LSDM, duke marrë tenderë milionësh.
“Politika dhe paraqitjet publike janë punë serioze dhe me përgjegjësi, që kërkojnë qëndrueshmëri dhe prezantim publik të fakteve. Kompania “Mastef DOOEL” Shkup, për të cilën sot foli SDS, duket se ka qenë një nga firmat më të preferuara të ish-kryetarëve të tyre të komunave, gjë që në konferencën për shtyp e harruan ta përmendin. Kështu, gjatë periudhës së pushtetit të SDS në një pjesë të madhe të komunave të Maqedonisë, kjo kompani ka qenë ndër të paktat që ka marrë më shumë tenderë, veçanërisht në komunat e Shkupit”, thonë nga VMRO-DPMNE
-“Mastef DOOEL” ka qenë një nga të preferuat e LSDM-së
-Mungesë të fakteve
VMRO-DPMNE shton se ekipi antikorrupsion i LSDM-së duhet të zgjerojë hetimet edhe për tenderët e dhënë nga institucionet e drejtuara nga kuadrot e tyre, duke theksuar se të gjitha prokurimet publike janë bërë në përputhje me ligjin dhe janë zgjedhur ofertat më të favorshme./Alsat.mk.
The post LSDM dhe VMRO-DPMNE përplasen për tenderët e “Mastef DOOEL”: akuza për korrupsion dhe kundërakuza për përfitime të mëparshme appeared first on Alsat.
