Në aeroportin e Splitit ka ndodhur një incident gjatë ngritjes së një avioni të kompanisë Croatia Airlines, përcjell TV21. Sipas informacioneve të publikuara nga Dalmacija Danas, avioni ka dalë nga pista gjatë fazës së ngritjes dhe ka përfunduar në një sipërfaqe jashtë pistës.

Sipas të dhënave fillestare, nuk ka të lënduar. Dalja nga pista ka ndodhur për shkak të rrethanave ende të panjohura dhe të paparashikuara.

Aeroporti i Splitit ka konfirmuar se ngjarja ka ndodhur rreth orës 13:30, deri sa avioni po fluturonte drejt Frankfurtit.

“Avioni Airbus A220 gjatë nisjes, për arsye të panjohura, ka devijuar nga pista dhe ka përfunduar në një sipërfaqe me bar. Gjatë kësaj ka pësuar dëmtime nga përplasja me shenjat vertikale dhe pjesët anësore të pistës”, thuhet në deklaratë.

Askush nuk është lënduar

Në avion ndodheshin 132 pasagjerë dhe 5 anëtarë të ekuipazhit. Të gjithë janë evakuuar në mënyrë të sigurt. Autoritetet përkatëse janë njoftuar dhe po bashkëpunojnë në hetimin e rastit.

Reagimi i Croatia Airlines

Nga kompania ajrore konfirmojnë se të gjithë pasagjerët dhe ekuipazhi janë mirë dhe se askush nuk është lënduar. Sipas tyre, gjithçka tregon se ekuipazhi ka vepruar sipas rregullave të sigurisë dhe ka ndaluar avionin në mënyrë të kontrolluar.

Pasagjerët u vendosën në terminalin e aeroportit të Splitit, ku iu ofrua ndihma e nevojshme. Nga “Croatia Airlines” thonë se janë në koordinim të vazhdueshëm me aeroportin dhe autoritetet ajrore.

Kompania thekson se siguria e pasagjerëve dhe ekuipazhit mbetet prioritet, ndërsa detaje të mëtejshme do të publikohen pas përfundimit të verifikimeve zyrtare.