Interi ngriti trofeun e Serie A në “San Siro”, duke festuar dopietën “kampionat-Kupa e Italisë”. Në prononcimin për DAZN, Cristian Chivu u shfaq i buzëqeshur pas suksesit të madh: “Bëj punën time dhe përpiqem të jap gjithmonë entuziazëm, motivim dhe ambicie. Kur punon me djem fantastikë, gjithçka bëhet më natyrale dhe më e thjeshtë. Këto dy trofe janë pasojë e një grupi burrash që morën përgjegjësi dhe punuan fort për t’ia arritur”.

Ndryshe nga finalja e Kupës në “Olimpico”, këtë herë Chivu ngriti trofeun bashkë me Lautaron: “Më morën dhe më shtynë atje brenda, nuk doja. Është një moment i dedikuar për lojtarët. Unë maksimumi do bëj një foto me stafin tim dhe më mjafton”.

Trajneri kujtoi edhe momentet kyçe të sezonit: “Fitorja në Lecce ishte hap i madh për +10 pikë. Pastaj erdhën vështirësitë; humbja e derbit, barazimet me Atalantën dhe Fiorentinën. Roma dhe Como ndoshta ishin dy ndeshjet vendimtare”.

Për dedikimin shtoi: “Këtë sukses ia dedikoj botës zikaltër dhe familjes sime. Nuk ishte e lehtë pas asaj që ndodhi vitin e kaluar. Objektivi kryesor ishte të ribashkonim ambientin dhe ia dolëm në mënyrë të shkëlqyer”. Ndërsa për mungesën e komplimenteve personale: “Nuk kam nevojë për to. E di kush jam dhe çfarë sjell. Mua më interesojnë klubi dhe grupi”.

 

The post Chivu: Dopieta sezonale nuk ishte e garantuar. Roma dhe Como, ndeshjet vendimtare appeared first on Telesport.