Gazetar: Suad Bajrami

Krahas forcave të shtuara të sigurisë, të cilët u kujdesën sot për mirëmbajtjen e rendit publik, në protestën e studentëve, ashtu sikur herën e parë u vërejtën edhe forca të shtuara të politikës. Protestës iu bashkëngjiten ish funksionarë të lartë të BDI-së gjatë qeverisjes dy dekadëshe, për ta përkrahur kërkesën e studentëve që provimin e jurisprudencës ta japin në gjuhën shqipe.

Në krahë të studentëve, për herë të dytë dolën ish ministrat e Drejtësisë të cilët janë në fokus të kritikave nga pushteti se nuk e kanë realizuar të drejtën që sot e kërkojnë studentët. Bëhet fjalë për Valdet Xhaferin, Blerim Bexhetin dhe Bilen Salijinm por edhe ish zëvendësministri Agim Nuhiu.

Përveç Ali Ahmetit, në protestë ishte pothuajse e tërë kryesia e BDI-së. Duke filluar nga nënkryetarët, Faton Ahmeti, Arjanit Hoxha, Arta Bilalli Zendeli, Arbana Pasholli e Erkan Arifi, por edhe sekretari i përgjithshëm Arbër Ademi.

Krahas tyre u panë edhe tërë grupi parlamentar i BDI-së, Pishtar Lufiu, Valmir Aziri, Ilas Veseli, Ejup Abazi e Bekim Rexhepi, por edhe shumë funksionarë tjerë partiak të eshalonëve më të ulëta.

Në protestë ishin prezentë edhe përfaqësues të koalicionit me BDI-në, si Skender Rexhepi Zejd, por edhe deputeti i ASH-së Arben Taravari, Rijad Shaqiri dhe kryetari i Gostivarit, Valbon Limani.

Sikur në protestën e kaluar, në protestë mori pjesë edhe deputeti i LSDM-së, Fatmir Bytyqi.

Ndërkohë nga ana tjetër, nuk u pa prezent asnjë përfaqësues i partisë VLEN, e cila premton se zgjidhjen do ta gjejë në kuadër të institucioneve, ndërsa dërgon kritika ndaj BDI-së se po e politizon kërkesën studentore për dhënien e provimit të jurispruidencës në shqip. Megjithatë funksionarët e BDI-së janë arsyetuar se mbështetjen e japin jo si përfaqësues partiak, por si prindër dhe profesorë.

Krahas funksionarëve politik, u panë edhe figura tjera të jetës publike e akademike. /Alsat.mk

The post Tërë kryesia e BDI-së në protestën e studentëve, mungonte vetëm Ali Ahmeti appeared first on Alsat.