Zëvendëspresidenti amerikan, JD Vance, deklaroi se brenda udhëheqjes iraniane vazhdojnë përçarjet, duke e bërë të paqartë pozicionin e Teheranit në negociatat me SHBA-në.

Gjatë një deklarate për gazetarët në Shtëpinë e Bardhë, Vance tha se administrata amerikane po punon drejt një marrëveshjeje për t’i dhënë fund luftës, por sipas tij, pala iraniane ende nuk ka një qëndrim të qartë.

“Iranianët nuk e kanë të qartë se në cilin drejtim duan të shkojnë. Ata janë gjithashtu një vend i përçarë”, deklaroi Vance.

Ai theksoi se në Iran ekzistojnë disa qendra ndikimi në procesin negociues, përfshirë udhëheqësin suprem dhe zyrtarë të tjerë të lartë, çka sipas tij e vështirëson identifikimin e një pozicioni të vetëm zyrtar.

Vance shtoi se mbetet e paqartë nëse këto dallime janë rezultat i komunikimit të dobët apo i mungesës së besimit, por sipas tij, kjo po krijon konfuzion në procesin e negociatave.