Departamenti Amerikan i Mbrojtjes njoftoi mbrëmë se po e zvogëlon numrin e brigadave ushtarake amerikane në Evropë nga katër në tre, duke e kthyer dislokimin në nivelet e vitit 2021, në një kohë kur Uashingtoni po ushtron presion ndaj kontinentit që të investojë më shumë në mbrojtjen e vet.
Pentagoni bëri të ditur se “numri i përgjithshëm i brigadave luftarake të dislokuara në Evropë është zvogëluar nga katër në tre”, ndërsa një brigadë përbëhet nga 4.000 deri në 4.700 ushtarë.
Në njoftim shtohet se kjo sjell “shtyrje të përkohshme” të dislokimit të forcave amerikane në Poloni.
Më herët, zëvendëspresidenti amerikan JD Vance deklaroi se dërgimi i planifikuar i katër mijë ushtarëve në Poloni është shtyrë, por nuk është anuluar.
Pentagoni theksoi se shpërndarja përfundimtare e forcave do të varet nga “nevojat strategjike dhe operative të SHBA-së” dhe nga kapacitetet e aleatëve evropianë për mbrojtjen e tyre.
