Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë ka reaguar ndaj raportimeve dhe spekulimeve për ndryshime të mundshme në postet e ambasadorëve në Maqedoninë e Veriut dhe Kosovë. Sipas MEPJ-së, lajmet për rotacion diplomatik me emra konkretë nuk pasqyrojnë procesin zyrtar dhe vendimmarrjen institucionale.

Në reagimin e Zëdhënësit të Ministrisë, Alteo Hysi, thuhet se çdo lëvizje në Shërbimin e Jashtëm, përfshirë edhe emërimet në nivel ambasadorësh, realizohet në përputhje me legjislacionin në fuqi, kuadrin rregullator të shërbimit diplomatik dhe praktikat e konsoliduara institucionale.

Sipas MEPJ, proceset e tilla bazohen në analiza profesionale dhe institucionale, me qëllim përdorimin efikas të burimeve njerëzore dhe në funksion të prioriteteve të politikës së jashtme të Shqipërisë, duke përfshirë edhe konsultimin me institucionet përkatëse.

Ministria shton se komentet dhe interpretimet mediatike që paraqiten si fakte nuk përfaqësojnë realitetin dhe nuk duhet të konsiderohen si burim zyrtar informacioni.

“Lëvizjet diplomatike, përfshirë ato në nivelin e Titullarit të Përfaqësisë, realizohen gjithmonë në përputhje me legjislacionin në fuqi, kuadrin e brendshëm rregullator për Shërbimin e Jashtëm, si dhe me praktikat e konsoliduara diplomatike. Këto procese mbështeten mbi analiza profesionale dhe institucionale, duke pasur si objektiv përdorimin sa më efikas të burimeve njerëzore, në përputhje me prioritetet e politikës së jashtme të Republikës së Shqipërisë. Vendimmarrja përkatëse përfshin koordinimin dhe konsultimin me institucionet përgjegjëse shtetërore. Komentet dhe pasqyrimet në media nuk pasqyrojnë realitetin, aq më pak procesin institucional që ndiqet në raste të tilla. Në mënyrë të veçantë, hamendësimet apo interpretimet e paraqitura si fakte janë tërësisht të pabazuara dhe nuk meritojnë vëmendje të mëtejshme”, thuhet në reagim.

The post Ministria e Jashtme e Shqipërisë reagoi ndaj zërave për largiminin e ambasadorit Meidani appeared first on Alsat.