Opinionisti dhe analisti politik Sefer Selimi ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të zëvendëskryeministrit Bekim Sali lidhur me moszbatimin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve, duke i cilësuar ato si kontradiktore dhe të paqarta.

Në një reagim publik, Selimi ironizoi qëndrimet e përfaqësuesve qeveritarë për çështjen e gjuhës shqipe, duke renditur deklaratat që sipas tij bien ndesh me njëra-tjetrën.

“Ligji është i qartë dhe e mundëson… jo, ligji nuk e mundëson sepse duhet ligj i ri… ministri nuk e respekton ligjin dhe kushtetutën… rrini rahat… së shpejti… hajt po themi 3 muaj… do e dërgojmë në Venecia… është bërë grup pune… jo, do bëhet grup ekspertësh… grupi është bërë po kanë shumë punë tjera prioritare… do gjejmë zgjidhje ligjore… nuk mundet të jepet në shqip… do jepet edhe në shqip… për një javë…”, shkroi Selimi.

Sipas tij, kjo “kakofoni” ka dy qëllime kryesore: të arsyetojë moszbatimin e Kushtetutës dhe Ligjit për përdorimin e gjuhëve, si dhe të fshehë, siç thotë ai, “pafuqinë politike të VLEN në qeveri”.

Selimi theksoi se qytetarët shqiptarë dhe studentët nuk kërkojnë “zgjidhje kreative”, burokraci apo manovra politike, por vetëm respektimin e ligjeve ekzistuese.

“Nuk e gënjeni më opinionin. Studentët dhe shqiptarët nuk kërkojnë ‘zgjidhje kreative’, nuk kërkojnë manovra politike e burokratike. Kërkojnë vetëm një gjë: Zbatoni Kushtetutën dhe Ligjin për gjuhët. Aq”, përfundoi ai.