Katër persona kanë humbur jetën në një aksident të rëndë komunikacioni që ka ndodhur mbrëmë në rrugën qarkore të Shkupit, ku janë përfshirë një kamion dhe një automjet udhëtarësh, konfirmojnë nga Ministria e Punëve të Brendshme.
Sipas informacioneve nga MPB-ja, aksidenti është denoncuar mbrëmë në ora 23:00. Tragjedia ka ndodhur në pjesën midis mbikalimit te Vizbegu dhe nyjës qarkore Mirkoc.
Shoferi B.B. (76) nga Kosova, duke drejtuar kamionin „MAN“ me gjysmërimorkio me targa të Kosovës, ka humbur kontrollin mbi automjetin, ka çarë rrethojën mbrojtëse metalike dhe ka kaluar në korsinë e kundërt të autostradës. Atje është përplasur direkt me një makinë „BMW“ me targa të Shkupit, e cila drejtohej nga 51-vjeçari R.V. nga Shkupi.
Nga përplasja ka shpërthyer zjarr në të dyja automjetet, me çka makina dhe kabina e kamionit janë djegur plotësisht.
Në vendin e ngjarjes, siç njoftojnë nga MPB-ja, jetën e kanë humbur shoferi i makinës, R.V., dhe pasagjerët A.V. (20) dhe P.M. (20) nga Shkupi, si dhe një person tjetër, identiteti i të cilit ende nuk është përcaktuar.
Mjeku i Ndihmës së Shpejtë Vetëm ka konstatuar vdekjen e katër personave, ndërsa me urdhër të prokurorit publik, trupat janë dërguar për obduksion.
Shoferi i kamionit, 76-vjeçari B.B., me urdhër të prokurorit është privuar nga liria dhe është ndaluar në stacionin policor për hetime të mëtejshme.
Nga MPB-ja thonë se pas dokumentimit të plotë të rastit, policia do të ngrejë padi penale përkatëse.
Për shkak të kryerjes së këqyrjes së vendit të ngjarjes, qarkullimi ka qenë në bllokim për më shumë se gjashtë orë dhe është riorientuar në aksin rrugor Tetovë-Veles, te nyja qarkore e Prishtinës drejt fshatit Vizbeg, dhe Veles-Tetovë te nyja qarkore Mirkoc.
Qarkullimi në rrugën qarkore është normalizuar plotësisht sot në mëngjes në ora 05:00.
