Baritoni dhe solisti i parë i Operës dhe Baletit Kombëtar (OBK),Riste Velkov, është një nga katër personat që humbën jetën mbrëmë në një aksident komunikacioni në rrugën qarkore të Shkupit, konfirmuan nga institucioni për portalit sdk.mk.
Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) njoftoi se mbrëmë në orën 23:00 në SPB Shkup është denoncuar se në rrugën qarkore të Qytetit të Shkupit, midis mbikalimit të Vizbegut dhe nyjës së Mirkocit, shtetasi B. B. (76) nga Kosova, duke drejtuar një automjet transportues – kamion tërheqës „Man“ me gjysmërimorkio me targa të Kosovës, ka humbur kontrollin mbi automjetin, ka kaluar rrethojën metalike mbrojtëse dhe ka hyrë në korsinë e kundërt të autostradës, me çka është përplasur me një automjet udhëtarësh „BMW“ me targa të Shkupit, të cilin po e drejtonte R. V. (51) nga Shkupi.
Nga përplasja ka shpërthyer zjarr në të dyja automjetet, ku vetura e udhëtarëve dhe kabina e kamionit tërheqës janë djegur plotësisht. Zjarri është shuar nga ekipi i Brigadës së Mbrojtjes Kundër Zjarrit të Shkupit.
Viktimat e aksidentit
Nga plagët e marra në vendin e ngjarjes ka ndërruar jetë shoferi R. V. dhe pasagjerët në automjetin e tij, A. V. (20) dhe P. M. (20) nga Shkupi, si dhe një person tjetër, identiteti i të cilit për momentin mbetet i panjohur. Mjeku i Ndihmës së Shpejtë ka konstatuar vdekjen, ndërsa me urdhër të prokurorit publik, trupat e të vdekurve janë dërguar për obduksion.
Gjithashtu, me urdhër të prokurorit publik, shoferi B. B. është privuar nga liria dhe është ndaluar në stacionin policor. Pas zbardhjes dhe dokumentimit të plotë të rastit, do të dorëzohet kallëzimi përkatës.
Gjatë kryerjes së këqyrjes së vendit të ngjarjes, përkatësisht në periudhën nga ora 23:10 deri në orën 05:00, qarkullimi është riorientuar në aksin rrugor Tetovë-Veles, te nyja e Prishtinës drejt fshatit Vizbeg, dhe Veles-Tetovë te nyja e Mirkocit. Në orën 05:00 qarkullimi është normalizuar.
Kush ishte Riste Velkov?
Velkov lindi në vitin 1975 në Shkup. Si solist i njohur dhe i parë i Operës dhe Baletit Kombëtar, ai ka performuar kryesisht në produksione *belcanto*, duke merituar dhe arsyetuar epitetin – **bariton italian me ngjyrë kadifeje**. Gjatë karrierës së tij, Velkov ka realizuar 26 role. Në repertorin e tij ka realizuar më shumë se 15 role kryesore në opera si „Nabuko“, „Rigoletto“, „Macbeth“ dhe „Traviata“.
