Gazetare: Melihate Rustemi

Ministrja e Arsimit, Vesna Janevska, tha se ndryshimet në Ligjin për Arsimin Fillor dhe të Mesëm, të cilat parashohin gjoba prej 250 eurosh për prindërit e nxënësve që shkaktojnë dhunë, ende nuk janë miratuar, por ndodhen në procedurë parlamentare. Janevska përsëriti se qëllimi i masës është të rritet përgjegjësia e prindërve në edukimin dhe sjelljen e fëmijëve. Sipas Janevskës, ligjet për arsimin fillor dhe të mesëm tashmë përmbajnë kapituj për trajtimin e rasteve të dhunës në shkolla, ndërsa masat e reja përfshijnë edhe licencimin e psikologëve shkollorë, me qëllim përditësimin e njohurive të tyre për trajtimin e dukurive të dhunës.

“Natyrisht që vetëm gjobat nuk mund ta zgjidhin problemin, prandaj përmenda se në ligje ka kapituj të tërë ku përshkruhen procedurat dhe mënyra se si do të veprojnë mësimdhënësit, drejtori dhe shërbimet pedagogjike në rast se ndodh një ngjarje e tillë e pakëndshme. Psikologët duhet të licencohen dhe tani do të merremi vesh që të fillojë licencimi i tyre, me qëllim që të përditësojnë njohuritë e tyre për mënyrën e trajtimit të këtyre dukurive, me të cilat më parë nuk kanë pasur përvojë, sepse këto nuk kanë ndodhur para 20 vitesh ose kanë qenë shumë më të rralla”, tha Vesna Janevska, ministre e Arsimit.

Lidhur me kritikat për rritjen e çmimeve për akomodim në konviktet studentore dhe uljen e numrit të bursave, Janevska tha se janë dezinformata. Siç sqaroi ajo, numri i bursave nuk është zvogëluar, por bëhet fjalë për riorganizim më efikas të mjeteve në bazë të analizave të realizuara nga ministria.

“Ndryshimet dhe plotësimet e ligjeve sjellin përfitime për studentët. Dy konvikte studentore tashmë janë rinovuar sipas standardeve evropiane dhe do të pranojnë studentë nga tetori, ndërsa rindërtimi i shtatë konvikteve të tjera pritet të nisë po në tetor. Numri i bursave nuk po zvogëlohet dhe se analizat kanë treguar se rreth 400 bursa sociale kanë mbetur të pashfrytëzuara për shkak të mungesës së aplikantëve që i plotësojnë kushtet”., theksoi Vesna Janevska, ministre e Arsimit.

Ministrja e Arsimit, Vesna Janevska, tha se fondet e Bashkimit Evropian, pas vlerësimit të reformave, do të derdhen kryesisht në buxhetin e shtetit, ndërsa për sektorin e arsimit ndarjen do ta përcaktojë Ministria e Financave. Ajo shtoi se mbajtja e të rinjve në vend kërkon një sërë reformash, përfshirë modernizimin e programeve studimore, përmirësimin e standardit studentor dhe forcimin e lidhjes mes arsimit dhe tregut të punës. /Alsat.mk

The post Janevska: Investimet dhe reformat kyçe për përmirësimin e arsimit appeared first on Alsat.