Gazetar: Avni Tahiri
Gropat, asfalti i dëmtuar dhe parregullsitë e tjera të shumta, të cilat paraqesin rrezik serioz për sigurinë në komunikacion, ndodhen në mes të autostradës, ku shpejtësia e lejuar është 120 kilometra në orë. Me këtë gjendje përballen drejtuesit e automjeteve në të dyja korsitë e qarkores së Shkupit.
“Për shkak të gropave dhe asfaltit të dëmtuar në qarkoren e Shkupit shumë vozitës detyrohen që të përdorin korsinë e ndalesës emergjente për të shmangur dëmtimin e automjeteve. Kjo situatë bëhet edhe më e vështirë gjatë mbrëmjes për shkak të mungesës së ndriçimit. “ tha ; Avni Tahiri, Gazetar.
Disa qytetarë që nuk deshën të prononcohen para kamerave thonë se deri tani kanë thyer disa herë automjetet dhe se kanë denoncuar rastet por që deri tani nuk është ndërmarrë asnjë ndërhyrje.
Nga Ndërmarrja Publike për Rrugë Shtetërore, nuk u përgjigjën në pyetjet se a janë të informuar për gjendjen aktuale të qarkores në terren, sa ankesa janë pranuar nga qytetarët lidhur me dëmtimet e automjeteve në qarkoren e Shkupit dhe se a është parashikuar riparim urgjent i segmenteve të dëmtuara.
Vitin e kaluar, nga Ndërmarrja Publike për Rrugë Shtetërore u realizua ndërhyrje emergjente në një pjesë të qarkores së Shkupit, konkretisht në nyjet afër Hipodromit. U riparuan segmentet më të dëmtuara të asfaltit, hyrje-daljet dhe korsitë lidhëse, por pjesa tjetër vazhdon të mbetet me gropa dhe e rrezikshme për qarkullim. /Alsat.mk
The post Gropa dhe asfalt i dëmtuar në qarkoren e Shkupit rrezikojnë qarkullimin appeared first on Alsat.
